Emisioni investigativ Vetting | Armand Kullau
Në vitet e fundit, NATO ka paralajmëruar për përdorimin nga Rusia të taktikave hibride dhe ndikimit ekonomik për të minuar sigurinë euro-atlantike, përfshirë rreziqet ndaj infrastrukturës kritike. Një nga mënyrat për të depërtuar në infrastrukturën kritike është përdorimi i kompanive offshore, të cilat mbulojnë pronarët e vërtetë.
Sipas të dhënave publike, në projektin e portit të ri të Durrësit shfaqet një kompani offshore e regjistruar në Qipro, e cila në të kaluarën ka pasur rol administrativ në struktura ku janë përfshirë edhe entitete të sanksionuara ruse. Kjo kompani paraqitet aktualisht në dokumentacion si pjesë e strukturës administrative të projektit të Porto-Romanos, një infrastrukturë detare me rëndësi strategjike për një vend anëtar të NATO-s, çka ngre pyetje mbi standardet e transparencës dhe verifikimit.
Nga kërkimet e “Vetting” rezulton se i gjithë procesi nga projektimi deri te faza finale për tenderin e ndërtimit të Portit të Ri të Durrësit në Porto Romano mund të jetë një aferë jo vetëm me pasoja në buxhetin e shtetit, por mund të rrezikojë marrëdhëniet me NATO-n për shkak të mungesës së transparencës nga qeveria shqiptare.
Pirro Vëngu la jashtë NATO-n në Porto Romano
Më 28 tetor 2025, në konferencën për shtypit për Portin e ri të Durrësit, ku ishin ishin të pranishëm edhe drejtuesit e Autoritetit Portual Durrës, zv.kryeministrja Belinda Balluku do të deklaronte se porti i Durrësit për qeverinë shqiptare ka qenë një prioritet.
“Kemi kërkuar gjithmonë që të drejtohej nga profesionistë, të cilët jo vetëm njohin transportin, por nga ana tjetër me aftësinë negociuese me trupa ndërkombëtarë, pasi porti i ri i Durrësit, parashikohet dhe është në vullnetin politik të qeverisë shqiptare, që të jetë një bazë e NATO-s, një bazë e NATO-s e vendosur në zemër të Mesdheut dhe padyshim në Shqipëri, si aleati më besnik i kësaj force të jashtëzakonshme, bashkësie të jashtëzakonshme”, do të deklaronte ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku.
Deklaratat e zv.kryeministres Balluku janë kontradiktore sepse nuk përputhen me dokumentet zyrtare fillestare të tenderit për hartimin e projektit të detajuar teknik të Portit të ri tregtar të Integruar të Durrësit në Porto Romano. Në qershor 2021 Autoriteti Portual Durrës, asokohe nën drejtimin e Pirro Vëngut, sot Ministri aktual i Mbrojtjes, do të hapte garën për këtë tender me fond limit 1,14 miliardë lekë ose 11 milionë euro.
Si shumica e tenderave me vlerë të lartë, edhe gara për këtë tender do të njollosej pasi do të shënohej me flamur të kuq nga “Openprocurement.al”, platformë e AIS-it. Sipas kësaj të fundit, flamuri i kuq paraqet dyshime për korrupsion, duke u favorizuar kompania fituese e tenderit nga APD-ja. Në rastin e Porto Romanos, të gjitha kompanitë do të skualifikoheshin, duke u shpallur automatikisht fitues bashkimi i kompanive të huaja dhe shqiptare “HASKONINGDHV NEDERLAND B.V”, “ADEC ENGINEERING CONSULTANCY LLC”, “ABKONS” shpk, “TAULANT” dhe “GEO-ENG” shpk me vlerë 952 milionë lekë.
Propaganda se ky do të ishte një tender strategjik për Aleancën do të binte disa muaj pas lidhjes së tenderit pasi ish Drejtori Vëngu kishte lënë jashtë masterplanit NATO-n.
Në shtator 2022, tenderit do t’i shtoheshin edhe 232 milionë lekë shtesë për bashkimin e kompanive fituese sepse duhet të realizohej dhe një bazë detare për NATO-n, duke dyfishuar periudhën e hartimit të projektit në 15 muaj, nga 8 muaj që ishte fillimisht.
Sipas Autoritetit Portual Durrës, projekti i infrastrukturës i destinuar per akostimin e mjeteve detare dhe sheshet në shërbim për Forcat e Armatosura nuk i përmbahej kapaciteteve të kërkuara nga NATO.
Vetë dokumenti pranon se kapacitetet e parashikuara në masterplanin fillestar nuk përmbushnin kërkesat e Aleancës për akomodimin e mjeteve detare aleate, përfshirë anije të tonazhit të rëndë si destroyer-at. Kjo do të thotë se, në momentin e hartimit dhe nënshkrimit të kontratës fillestare, projekti nuk ishte teknikisht i gatshëm për përdorim nga NATO, pavarësisht deklaratave publike.
Dokumenti i tenderit tregon se kjo nuk ka qenë e reflektuar në projektimin fillestar dhe është formalizuar vetëm përmes një shtese kontraktore gjatë zbatimit.
“Vetting” kontaktoi degën qendrore në Hollandë të kompanisë “Haskoning B.V”, për të marrë informacion përsa i përket arsyeve se pse nuk ishte përfshirë në masterplan edhe infrastruktura për NATO-n, pyetje e cila ngeli pa përgjigje.
Gjithashtu edhe Autoriteti Portual nuk pati asnjë koment në lidhje me këtë fakt. Sipas Kapitenit të Rangut të Parë Artur Meçollarit, ky port ka mangësi në planifikim.
“Porto Romano u doli si alternativë, në momentin që u dha porti i Durrësit. Pra, për të liruar portin e Durrësit, duhet një port tjetër dhe u shpik historia e Porto Romanos, projekt i cili u bë pa vizibilitet. Nuk kemi në dorë një studim fizibiliteti. Atëhere, pas kësaj, kryeministri për t’i dhënë një lloj vizibiliteti, një lloj qëndrueshmërie Porto Romanos, shpiku historinë e portit të NATO-s, e bazës së NATO-s në Porto Romano”, deklaroi ish zv. shef i Forcace Detare për “Vetting” Artur Meçollari.
Sipas Meçollarit, një qasje e NATO-s në Porto Romano, do t’i jepte portit qëndrueshmëri dhe fizibilitet. Në fakt, ish zv.Shefi i FD-së Meçollari ka të drejtë që nuk ka një studim fizibiliteti për portin e ri.
“Vetting” i bëri kërkesë zyrtare Autoritetit Portual Durrës për studimin e fizibilitetit për këtë projekt, por Autoriteti refuzon të na vendosi në dispozicion dokumentin.
Një shqetësim të ngjashëm ka ngritur edhe eksperti i ekonomisë Zef Preçi, i cili shprehet se në raportet zyrtare të Autoritetit Portual të Durrësit nuk gjen publikime për investimet.
“Në faqen zyrtare gjen letra trajnimesh, udhëtimesh, shëtitjesh, por nuk thotë gjë për raportin financiar. Sa fitime sigurohen dhe si do të investohen? E njëjta gjë sa i takon programit buxhetor afatmesëm, që parashikohen para, por që më shumë janë për të mbajtur ndonjë premtim të fshehtë se sa për të sjellë zhvillim, që lidhen me volume mallrash, që lidhen me hekurudhën, që lidhet me vendet e rajonit”, do të deklaronte për “Vetting” eksperti Preçi.
Duke shfletuar të dhënat publike rezulton se Komisioni i Vlerësimit të Ofertave të Autoritetit Portual për tenderin e hartimit të projektit ka favorizuar bashkimin e kompanive pasi “TAULANT” shpk dhe “GEO-ENG” shpk nuk plotësojnë kriteret për xhiron vjetore, e cila duhet të jetë 458 milionë lekë të paktën në njërin nga vitet 2018, 2019 ose 2020.
Ky fakt zbulohet nga vetë institucioni, i cili për të njëjtën arsye që ka skualifikuar bashkimin e kompanive “ROGAN ASSOCIATES EL”, “MOFFAT & NICHOL” dhe “INFRAPLAN”, nuk ka skualifikuar grupin e kompanive fituese. Në lidhje me këtë fakt, deri në publikimin e këtij materiali, Autoriteti Portual Durrës dhe kompania hollandeze “Royal Haskoning B.V” nuk dhanë asnjë koment.
