TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur sot se ka mbërritur oferta zyrtare për ndërtimin e aeroportit kombëtar të Vlorës.
Një projekt ky deri tani utopik duket se do të realizohet shumë shpejt, pasi kryeministri thotë se deri në qershor do të ngrihet kantieri. Po ku do të ndërtohet ky aeroport në Vlorë? Ministria e Infrastrukturës jep detaje të tjera për projektin gjigand.

Në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë është paraqitur shprehja e interesit për projektin e Aeroportit të Vlorës. Sipas propozimit, aeroporti mendohet te ndërtohet në zonën e Akërnisë.
Oferta është paraqitur nga një konsorcium i tre kompanive ndër më seriozet, të cilat janë: Cengiz Construction; Kalyon Construction; Kolin Construction.

Me marrjen e ofertës, do të ngrihet një grup i posaçëm me përfaqësues nga Ministria e Infrastrukturës e Energjisë dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë që do shqyrtojë aspektet teknike të propozimit dhe ndjekë hapat e mëtejshëm në përputhje me përcaktimet ligjore. Investimi do jetë privat, pra jo me të ardhurat nga buxheti i shtetit.

(m.k/BalkanWeb)
