Të paktën 9 persona, përfshirë 4 fëmijë dhe 3 gra, u vranë sot në Iranin juglindor nga sulmet raketore pakistaneze, njoftuan mediat zyrtare iraniane.

“Dy burra u vranë gjithashtu në sulmin me raketa në një nga fshatrat në kufi, duke e çuar numrin e të vdekurve në nëntë,” raportoi agjencia iraniane e lajmeve Irna, duke cituar zëvendësguvernatorin e provincës Sistan-Baluchistan, Alireza Markhamati.

Dy ditë pas sulmeve iraniane në tokën e saj, Pakistani njoftoi sot se kishte kryer gjatë natës “sulme kundër zonave ku fshihen terroristë” në Iran.

Kina thotë se është e gatshme të luajë një rol ndërmjetësues

Ndërkohë, Pekini, i cili mban marrëdhënie të privilegjuara me Islamabadin dhe Teheranin, thotë se është i gatshëm të “luaj një rol” në zbutjen e tensioneve midis Pakistanit dhe Iranit pas sulmeve, tha sot diplomacia kineze.

“Në rast se të dyja palët kanë nevojë, ne jemi të gatshëm të luajmë një rol konstruktiv për të qetësuar situatën”, tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme kineze Mao Ning.

Kina “shpreson sinqerisht se të dy palët mund të tregojnë qetësi dhe përmbajtje për të shmangur përshkallëzimin e tensioneve,” shtoi zëdhënësja.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb