Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dhe Presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump zhvilluan një telefonatë 40-minutëshe të hënën në mbrëmje, menjëherë pasi Irani njoftoi se së shpejti do t’i përgjigjej propozimit të fundit të Uashingtonit për një marrëveshje bërthamore.
Pas telefonatës, Netanyahu zhvilloi një konsultim të nivelit të lartë për sigurinë, të përqendruar te Irani.
Në një komunikatë të shkurtër të bisedës, Zyra e Netanyahut tha se të dy udhëheqësit diskutuan bisedimet e vazhdueshme bërthamore të Uashingtonit me Teheranin.
“Presidenti Trump i tha Kryeministrit se Shtetet e Bashkuara i kanë paraqitur Iranit një propozim të arsyeshëm dhe pritet të marrin përgjigjen e tij në ditët në vijim”, thuhet në deklaratën e zyrës së Netanyahut.
Në të shtohej se Trump e informoi Netanyahun “se planifikon të zhvillojë një raund tjetër bisedimesh me Iranin gjatë fundjavës”.
Nga ana e tij, Trump u tha gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë se biseda shkoi “shumë mirë” dhe mbuloi një sërë çështjesh, duke përfshirë bisedimet bërthamore në vazhdim, duke shtuar se SHBA-të kanë një takim me Iranin të enjten.
Zëdhënësi i ministrisë së jashtme të Iranit, Esmaeil Baghaei, tha më vonë se “raundi tjetër i negociatave indirekte Iran-SHBA ishte planifikuar për të dielën e ardhshme në Muscat”, sipas një deklarate të cituar nga Reuters.