Irani është i gatshëm të arrijë një marrëveshje bërthamore “paqësore” me Shtetet e Bashkuara, me qëllim zgjidhjen e një mosmarrëveshjeje që ka zgjatur për dekada, por pa bërë asnjë kompromis që mund të rrezikojë sigurinë kombëtare të vendit. Kështu deklaroi të hënën zëvendësministri i Jashtëm iranian, Saeed Khatibzadeh, gjatë Dialogut të 12-të Strategjik në Abu Dhabi.
“Ne kërkojmë një marrëveshje që të jetë në shërbim të paqes dhe stabilitetit, por nuk do të pranojmë kushte që cënojnë sigurinë tonë kombëtare,” tha Khatibzadeh, duke theksuar se programi bërthamor iranian ka vetëm qëllime paqësore. Shtetet e Bashkuara, aleatët evropianë dhe Izraeli prej kohësh akuzojnë Teheranin se po përdor programin bërthamor si mbulesë për zhvillimin e aftësive për armë bërthamore, akuzë që Irani e ka hedhur vazhdimisht poshtë.
Zyrtari iranian kritikoi Uashingtonin për “mesazhe kontradiktore” në lidhje me procesin e negociatave, të cilat po zhvillohen përmes vendeve të treta. “Uashingtoni flet për diplomaci, por në të njëjtën kohë dërgon sinjale presioni, kjo është tradhti ndaj diplomacisë,” tha ai.
Bisedimet mes dy vendeve janë pezulluar që pas luftës 12-ditore midis Iranit dhe Izraelit në qershor, gjatë së cilës SHBA-të morën pjesë duke goditur objektet bërthamore iraniane. Ndër çështjet që mbeten të pazgjidhura janë niveli i pasurimit të uraniumit në territorin iranian, që Uashingtoni kërkon ta reduktojë në zero, ndërsa Teherani e kundërshton.
Javën e kaluar, udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, përjashtoi mundësinë e negociatave “nën kërcënim”, duke deklaruar se Irani “nuk kërkon bomba bërthamore” dhe është i gatshëm ta garantojë këtë para komunitetit ndërkombëtar. “Ne jemi krenarë për programin tonë bërthamor kombëtar, i cili është plotësisht për qëllime paqësore,” përfundoi Khatibzadeh.
