Një raketë balistike e lëshuar nga Iran ka hyrë në hapësirën ajrore të Turqisë dhe është neutralizuar nga sistemet e mbrojtjes ajrore të NATO, bëri të ditur Ministria turke e Mbrojtjes Kombëtare. Sipas deklaratës zyrtare, raketa u zbulua pasi hyri në hapësirën ajrore turke dhe u shkatërrua nga elementët e mbrojtjes ajrore dhe raketore të NATO-s të vendosur në rajonin e Mesdheut Lindor.
Autoritetet turke bënë të ditur se disa fragmente të municionit ranë në zona të pabanuara në provincën e Gaziantep. Nga incidenti nuk raportohet për viktima apo të plagosur. Në reagimin e saj, Ministria e Mbrojtjes e Turqisë theksoi se vendi i kushton rëndësi marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe stabilitetit rajonal, por paralajmëroi se do të ndërmerren të gjitha masat e nevojshme ndaj çdo kërcënimi që prek territorin apo hapësirën ajrore turke.
Ndërkohë, Departamenti i Shtetit njoftoi se ka pezulluar shërbimet konsullore në Turqinë jugore dhe u ka kërkuar punonjësve jo-thelbësorë diplomatikë dhe familjeve të tyre të largohen nga zona për shkak të rreziqeve të sigurisë. Sipas njoftimit, Konsullata e Përgjithshme e SHBA-së në Adana ka pezulluar përkohësisht të gjitha shërbimet konsullore.
