Irani ka ashpërsuar gjuhën ndaj Shteteve të Bashkuara, duke paralajmëruar se në rast të sulmeve të reja amerikane, objektivat e hakmarrjes mund të jenë edhe bazat ushtarake të Uashingtonit në Evropë.

Paralajmërimi është bërë nga sekretari i Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare të Iranit, gjenerali Mohsen Rezaei, i cili deklaroi se Teherani nuk do ta kufizojë përgjigjen e tij vetëm në bazat amerikane në Lindjen e Mesme.

Në një intervistë për televizionin libanez pro-iranian Al Mayadeen, Rezaei tha se nëse avionët amerikanë përdorin bazat në Evropë për të kryer sulme kundër Iranit, edhe këto instalime mund të bëhen objektiv i kundërpërgjigjes iraniane.

“Nëse Shtetet e Bashkuara nisin një sulm të ri, Irani do të synojë jo vetëm bazat e afërta, por edhe ato të largëta, në zona që nuk i ka goditur deri më tani”, deklaroi zyrtari iranian.

Një tjetër çështje për të cilën Teherani ka mbajtur një qëndrim të prerë është programi bërthamor. Rezaei përjashtoi çdo mundësi të largimit jashtë vendit të rezervave të uraniumit të pasuruar.

“Ne nuk do të lejojmë që asnjë grimcë e vetme e materialit bërthamor të pasuruar të largohet nga vendi”, u shpreh ai, duke shtuar se Irani synon ta përdorë vetë këtë material.

Sipas vlerësimeve të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), para sulmeve izraelite dhe amerikane ndaj objekteve bërthamore iraniane në qershor 2025, Irani dispononte 440.9 kilogramë uranium të pasuruar në nivelin 60%.

Megjithatë, ende nuk dihet me saktësi se sa nga kjo sasi ka mbetur pas sulmeve.

SHBA-ja, Izraeli dhe vendet e tjera perëndimore kanë akuzuar prej vitesh Teheranin se synon të sigurojë armë bërthamore, pretendime që autoritetet iraniane i kanë mohuar vazhdimisht.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: