Ish-ambasadori shqiptar në Egjipt, Spartak Topollaj, i ftuar në studion e News24, ka komentuar zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme dhe përshkallëzimin e tensioneve pas sulmeve amerikano-izraelite ndaj Iran.
Topollaj u ndal te situata e krijuar pas raportimeve për vrasjen e Liderit Suprem, Ali Khamenei, duke theksuar se presidenti amerikan Donald Trump e kishte paralajmëruar më herët që të largohej, në të kundërt do të përballej me pasoja ekstreme.
“Trump e paralajmëroi Khamenein që të largohej ose do të vritej së bashku me djalin. Djali i tij nuk është vrarë dhe tani konsiderohet si një prej favoritëve për të marrë drejtimin”, u shpreh Topollaj.
Sipas tij, reagimi i Iranit ka qenë i ashpër, duke përfshirë bombardime ndaj vendeve të Gjirit Persik dhe tentativa për të goditur objektiva të tjera në rajon.
“Ky është një ndërveprim mes Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izrael. SHBA ka vendosur aeroplanmbajtëset e saj në rajon. Franca ka afruar aeroplanmbajtësen e saj më të madhe po ashtu. Shtete të tjera janë prononcuar, edhe pse nuk kanë dërguar trupa”, deklaroi ai.
Topollaj shtoi se situata mbetet tejet e tensionuar, duke përmendur edhe goditjen e një baze britanike në Qipro.
“Irani është në dëshpërim dhe në këto kushte mund të bëjë gjithçka”, përfundoi ish-ambasadori, duke paralajmëruar se përshkallëzimi i mëtejshëm mund të ketë pasoja të rënda për stabilitetin rajonal dhe më gjerë.
