Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, paralajmëroi të dielën se nëse Izraeli nuk mbahet përgjegjës për sulmet e tij kundër Iranit, “i gjithë rajoni dhe më gjerë do të vuajë”.
Duke iu drejtuar Samitit të 17-të të BRICS në Rio de Janeiro të Brazilit, Araghchi theksoi rëndësinë e mbajtjes përgjegjëse të Izraelit dhe SHBA-së për shkeljet e tyre të së drejtës ndërkombëtare, duke përfshirë të drejtat e njeriut dhe të drejtën humanitare.
Pasojat e luftës së agresionit SHBA-Izrael nuk do të kufizohen vetëm në një vend të vetëm, por “i gjithë rajoni dhe më gjerë do të vuajë”, tha ai në fjalimin e tij të cituar nga televizioni shtetëror Press TV.
“Sulmet SHBA-Izrael ndaj objekteve tona bërthamore ishin në shkelje të rëndë të NPT-së (traktatit për mospërhapjen e armëve bërthamore) dhe rezolutës 2231 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që ka miratuar programin bërthamor paqësor të Iranit në vitin 2015 me konsensus”, theksoi ai.
“Përfshirja e mëvonshme e SHBA-së në këtë agresion duke synuar instalimet bërthamore paqësore të Iranit nuk ka lënë asnjë dyshim për bashkëpunimin e plotë të qeverisë amerikane në luftën e agresionit të Izraelit kundër Iranit”, tha diplomati i lartë.
Samiti i 17-të i BRICS u hap të dielën në Rio de Janeiro, duke bashkuar udhëheqës nga ekonomitë e mëdha në zhvillim për bisedime mbi sigurinë globale, reformën e qeverisjes dhe forcimin e bashkëpunimit në të gjithë Jugun Global.
Një konflikt midis Izraelit dhe Iranit shpërtheu më 13 qershor, kur Izraeli nisi sulme ajrore ndaj objekteve ushtarake, bërthamore dhe civile iraniane, duke vrarë të paktën 935 persona. Ministria iraniane e Shëndetësisë tha se 5,332 persona u plagosën.
Teherani nisi sulme hakmarrëse me raketa dhe dronë , duke vrarë të paktën 29 persona dhe duke plagosur më shumë se 3,400 të tjerë, sipas shifrave të publikuara nga Universiteti Hebraik i Jerusalemit.
Konflikti përfundoi me një armëpushim të sponsorizuar nga SHBA- të që hyri në fuqi më 24 qershor.
