Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se një sulm i ri ushtarak ndaj Iranit është shumë pak i mundshëm, nëse negociatat për t’i dhënë fund konfliktit vijojnë të përparojnë. Në një intervistë telefonike për CNN, të dielën, Trump theksoi se vendimi do të varet nga gatishmëria e Teheranit për të nënshkruar një marrëveshje të fortë, ndërsa paralajmëroi se forcat amerikane në rajon janë të gatshme të veprojnë nëse do të jepet urdhri për sulm.
“Varet nëse ata do të nënshkruajnë apo jo një marrëveshje shumë ‘të fortë’. Përgjigjja është se ka shumë pak gjasa që kjo të jetë e nevojshme”, deklaroi Trump për CNN.
Megjithatë, presidenti amerikan bëri të qartë se ushtria amerikane ruan kapacitetet e saj ushtarake në rajon dhe është në gatishmëri të plotë. Ai përmendi praninë e tre aeroplanmbajtëseve amerikane, duke theksuar se ato janë të pajisura dhe të përgatitura për çdo urdhër të mundshëm.
“Ne jemi gati. Kam tre aeroplanmbajtëse këtu. Ato janë plotësisht të pajisura dhe gati për veprim”, u shpreh Trump.
Gjatë intervistës, kreu i Shtëpisë së Bardhë e cilësoi Iranin si një shtet të dështuar, duke deklaruar se vendi po përballet me një inflacion prej 301 për qind. Ai paralajmëroi gjithashtu se Shtetet e Bashkuara kanë identifikuar objektiva të rëndësishëm infrastrukturore brenda territorit iranian, të cilat mund të goditen në rast të rifillimit të operacioneve ushtarake.
Mes objektivave të përmendur nga Trump janë termocentralet dhe urat. Presidenti amerikan pretendoi se ushtria amerikane ka identifikuar 38 ura që mund të shkatërrohen brenda një kohe shumë të shkurtër.
“Ne kemi 38 ura në shënjestër, të cilat mund t’i rrëzojmë fjalë për fjalë brenda një ore. Të gjitha do të shkatërrohen”, deklaroi ai.
Trump foli edhe për kapacitetet ushtarake të Iranit, duke u shprehur se regjimi në Teheran ka ruajtur vetëm 10 për qind të kapacitetit të tij raketor dhe rreth 15 për qind të aftësive për prodhimin dhe përdorimin e dronëve. Sipas presidentit amerikan, dëmet e shkaktuara në fabrikat iraniane kanë dobësuar ndjeshëm aftësinë e vendit për të prodhuar armë të reja.
Deklaratat e Trump vijnë në një moment kur Uashingtoni lë të hapur mundësinë e një zgjidhjeje përmes negociatave, por njëkohësisht mban të qartë politikën për veprime të tjera ushtarake, nëse nuk arrihet një marrëveshje sipas kushteve të kërkuara nga pala amerikane.
