“Presidenti i SHBA-së, Donald Trump është i gatshëm të takohet me udhëheqësin suprem të Iranit, Ali Khamenei për të zgjidhur mosmarrëveshjet midis dy vendeve, jo sepse është dakord me të, por sepse beson se kështu zgjidhen problemet” , kështu ka deklaruar Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio.
Ndërsa foli edhe për programin bërthamor, Rubio u shpreh se është e qartë se nuk do t’i lejohet kurrë Iranit të pajiset me armë bërthamore.
“E para është se mendoj se është mjaft e qartë se Iranit nuk do t’i lejohet kurrë të pajiset me armë bërthamore, pasi kjo përbën një kërcënim jo vetëm për Shtetet e Bashkuara, Evropën, sigurinë globale dhe rajonin. Nuk ka dyshim për këtë. Po ashtu ne duam të kemi forca në rajon sepse Irani ka treguar gatishmërinë dhe aftësinë për të sulmuar dhe goditur objektivat amerikane në rajon. Ne kemi baza për shkak të aleancave tona në rajon, dhe Irani ka treguar në të kaluarën se është i gatshëm të na sulmojë dhe/ose të kërcënojë bazat tona. Pra, ne duhet të kemi fuqi të mjaftueshme zjarri në rajon për t’u siguruar që ata të mos bëjnë një gabim dhe të shkaktojnë diçka më të madhe”, tha ai.
