Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Sokol Kondi, i ftuar në studion e News24, komentoi përshkallëzimin e tensioneve mes Izraelit dhe Iranit, duke theksuar pasigurinë e sigurisë izraelite përballë raketave të avancuara iraniane.
Kondi deklaroi se perceptimi i mëparshëm në Izrael se sistemi mbrojtës Iron Dome, në bashkëpunim me sistemet amerikane Patriot, ishte i papenetrueshëm, është vënë në pikëpyetje pas sulmeve të fundit. Ai theksoi se Irani pretendon të ketë përdorur raketa hipersonike me testata manovrueshme — mjete që pasi rikthehen në atmosferë, lëvizin me shpejtësi të lartë dhe ndryshojnë trajektore në ajër, duke vështirësuar interceptimin nga mbrojtja ajrore.
“Zyrtarisht, Izraeli nuk ka pranuar se është goditur nga një raketë e tillë, por nga momenti që është goditur, dyshohet se janë përdorur armë të këtij tipi”, u shpreh Kondi.
Sipas tij, Irani besohet të ketë një arsenal me mijëra raketa balistike dhe bashkëpunimi i tij me fuqi si Rusia dhe Kina mund të fshehë teknologji ende të panjohura në tunele ushtarake.
Duke komentuar reagimin izraelit, Kondi vlerësoi se strategjia që po ndjek Tel Avivi ngjan me atë ndaj Hezbollahut në Liban — eliminimi i liderëve të rëndësishëm — por theksoi se “nuk është e sigurt nëse kjo do të jetë po aq efikase ndaj Iranit”.
