Ish-ambasadori britanik në Shtetet e Bashkuara, Peter Mandelson, është liruar me kusht në pritje të hetimeve të mëtejshme mbi marrëdhëniet e tij me financierin e dënuar amerikan Jeffrey Epstein . 72-vjeçari u arrestua të hënën, më 23 shkurt, në Camden dhe u dërgua në një stacion policie në Londër për t’u marrë në pyetje.
Sipas një deklarate nga Policia Metropolitane, 72-vjeçari u arrestua në një adresë në Camden, pas kontrolleve në dy shtëpi në Wiltshire dhe Camden.
Fillimisht, policia foli për arrestimin e një “burri 72-vjeçar” për “shkelje detyre”, pa e përmendur emrin e Mandelson. Autoritetet sqaruan se nuk do të jepeshin informacione të mëtejshme në këtë fazë, me qëllim sigurimin e integritetit të hetimit.
Mandelson u pa duke dalë nga stacioni i policisë në orët e para të së martës (24/2) dhe u kthye në shtëpinë e tij në veri të Londrës. Hetimi është duke vazhduar.
Arrestimi i tij u bë me të njëjtat akuza për të cilat Andrew Mountbatten-Windsor, ish-Princi Andrew, u arrestua me një akuzë të veçantë një javë më parë, gjithashtu e lidhur me miqësinë e tij me Epstein. Andrew u lirua pas 11 orësh në paraburgim ndërsa hetimi vazhdon.
Mandelson është përfshirë në skandalin Epstein që nga fillimi. 72-vjeçari u shkarkua nga posti i tij në shtator kur filloi të dilte në pah shkalla e miqësisë së tij me Epstein.
Më herët këtë muaj, policia nisi një hetim formal ndaj tij pasi qeveria e kryeministrit Keir Starmer u dorëzoi autoriteteve komunikimet e ish-ambasadorit me shkelësin e dënuar për vepra seksuale.
Sipas akuzave që po shqyrtohen, Mandelson dyshohet se i ka siguruar informacione të ndjeshme qeveritare Epsteinit për rreth 15 vjet. Megjithatë, ai nuk përballet me asnjë akuzë për ngacmim seksual.
Mandelson është një nga figurat më të shquara në Partinë Laburiste në Britani. Ai ka shërbyer si ambasador i Mbretërisë së Bashkuar në SHBA, ish-sekretar i tregtisë dhe ish-komisioner i tregtisë i BE-së.
Ai ka mbajtur poste të larta qeveritare nën qeveritë e mëparshme të Partisë Laburiste dhe mbeti ambasador në Uashington deri në shtator, kur u shkarkua nga Keir Starmer pasi dolën email-e që tregonin se ai mbante një marrëdhënie miqësore me Epstein edhe pas dënimit të tij në vitin 2008 për vepra penale seksuale ndaj një të miture.
Dosjet e publikuara në janar përmbanin zbulime të reja rreth lidhjeve të tij me Epstein, të cilin dokumentet thonë se dikur e quante “mikun tim më të mirë”. Ai mohon çdo shkelje.
