Anëtarja e Kryesisë së LSI, ish-deputetja Silva Caka, zbuloi në rubrikën “Opinion”, në News24, dy negociatorët e koalicionit të kësaj force politike me Komisionin e Rithemelimit të Sali Berishës në zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit.

Caka tha se negociatorë nuk kanë qenë Monika Kryemadhi me Sali Berishën, por dy përfaqësues të rinj, Endrit Braimllari i LSI dhe Belind Këlliçi i Komisionit të Rithemelimit.

“Negociatat janë udhëhequr nga dy njerëz, që në gjykimin tim i përkasin një gjenerate të re të politikanëve, pikërisht Endrit Braimllari dhe Belind Këlliçi. Negociatat kanë qenë si politike, ashtu dhe administrative. Negociatat janë zhvilluar mes këtyre dy përfaqësuesve, por do të ketë edhe bashkëpunime të tjera”, tha ish-deputetja Caka.

E pyetur se si do të funksionojë koalicioni, Caka u shpreh se “Objektivi kryesor është shpallja e kandidaturave dhe suporti i tyre. Në suport të këtyre kandidatëve, që janë zgjedhur nga një proces, që duhet duartrokitur, pasi përbën risi në demokracinë e brendshme të partive, do të mbështeten këto kandidatë, që janë gjykuar nga anëtarësia e PD, por njëkohësisht edhe nga anëtarësia e LSI, apo edhe PDK. Anëtarët tanë kanë dhënë pëlqimin për këto kandidatura. Qëllimi kryesor është rrëzimi i regjimit në këto gjashtë bashki, si dhe për të treguar opozitën e vërtetë përballë Ramës. Suporti do të jetë më tepër politik. LSI ka vendosur në dispozicion të këtij koalicioni çdolloj burimi njerëzor. Ne nuk do të kemi kandidatë. E gjykuam në konsultim me Kryesinë, që ne të mos fragmentarizohemi më tej, por të jemi në suport të këtyre kandidatëve”.

Jeni të sigurt që do të pranohet koalicioni nga KQZ?
Nuk ka asnjë arsye që të mos pranohet. De facto është grupim edhe më i madh, por de jure është LSI e PDK, apo edhe parti të tjera, që mund t’i bashkohen më vonë. Ne do të bëjmë fushatë për kandidatët e prezantuar nga Berisha. Ju kemi kërkuar anëtarëve tanë që të suportojnë kandidatët.

Ka pasur negociata mes Kryemadhit e Berishës?
Negociatat janë udhëhequr nga dy njerëz, që në gjykimin tim i përkasin një gjenerate të re të politikanëve, pikërisht Endrit Braimllari dhe Belind Këlliçi. Negociatat kanë qenë si politike, ashtu dhe administrative. Negociatat janë zhvilluar mes këtyre dy përfaqësuesve, por do të ketë edhe bashkëpunime të tjera.

Basha dhe Balla na quajtën njëherësh “koalicioni non grata”, dhe unë kam një pyetje për ta “Mos janë përfaqësues të ambasadës amerikane në Tiranë?” Këto deklarata mund të kenë pasoja. në momentin që tenton t’i vësh epitete palës tjetër, përpiqu të jesh objektiv, që mos të të kthehet si bumerang ndaj vetes.

Ju si LSI nuk keni kandidatë, por do mbështesni kandidatët e zgjedhur nga Berisha, a nuk është kjo një goditje ndaj Bashës?
Ne kemi pasur pakënaqësi ndaj Bashës, por nuk kemi shprehur asgjë, derisa LSI e lidershipi i saj u sulmuan drejtpërdrejt nga Lulzim Basha, që bënte fajtor për humbjen LSI. Kjo do të thotë se ne nuk e konsiderojmë këtë gjë si hakmarrje, pasi nëse do të kishte hakmarrje, do të kishte ndodhur më herët. Nuk ka lidhje me hakmarrjen dhe nuk është LSI në këto zgjedhje për t’u hakmarrë për ato që ndodhën para, gjatë apo pas 25 prillit. Qëllimi ynë është ridimensionimi ynë politik, përballja me qeverisjen e Edi Ramës edhe ridimensionimi i aksioneve tona politike. Ishte një vendimmarrje e Kryesisë së LSI, që ne të mos kishim kandidatë në këto gjashtë bashki.

Sa i moralshëm është koalicioni?
Shumë më i moralshëm, se aleanca e Bashës me Ramën. Pritshmëritë tona në zgjedhje janë të larta, pasi shumë nga kryetarët e këtyre bashkive u përjashtuan nga dekriminalizimi, pra nga probleme me moralin. Edhe fitorja, edhe humbja, duhet t’i vendosë në kushtet e reflektimit të gjithë. Nëse bashkëpunimi do të rezultojë i suksesshme, nuk ka arsye pse të mos vazhdojë. Ne nuk do ta lëmë aksionin tonë politik dhe kjo është e pakompromentueshme. Ne nuk e lamë as pas 25 prillit, sic ka ndodhur me ish-aleatët tanë. Kauzat e opozitës nuk janë braktisur kurrë nga LSI, madje kemi marrë dhe hapa konkretë. Do të jemi pjesë e aksioneve të opozitës, për sa kohë ato janë reale dhe jo fiktive. Ne patëm bashkëpunim me njerëz që zhvlerësuan rolin e aksionit dhe shkuan në gjumë dhe këtu e kam fjalën për Bashën. Kjo nuk do të ndodhë më me LSI.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb