Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu përmes një mesazhi ka shprehur dhimbjen për ndarjen nga jeta të mikut të tij, ish-gjyqtarit Skënder Haluci. Mediu e përshkruan Halucin si një figurë të lidhur ngushtë me Tropojën, duke theksuar se ai vinte nga një familje patriote dhe antikomuniste.
Mediu shton se në moshë shumë të re Skënder Haluci ishte dënuar me vdekje nga regjimi komunist, së bashku me djalin e xhaxhait të tij, Isuf Halucin, të akuzuar si organizatorë të vrasjes së Ramiz Alisë.
Pas vendosjes së demokracisë, Haluci ushtroi detyrën e gjyqtarit në Gjykatën e Tiranës. Më pas punoi në zyrën e Avokatit të Popullit dhe në fund të karrierës shërbeu si kryetar i Gjykatës së Vlorës.
Në mesazhin e tij, Mediu e cilëson Halucin si një nga miqtë e tij më të afërt, duke vlerësuar besën, fjalën dhe qëndrimin e tij për lirinë dhe demokracinë.
“Skënderin e kam pasur një nga miqtë më të afërt, i cili ishte mik në kohë të vështira, i besës dhe i fjalës. Demokrat në shpirt dhe i palëkundur për lirinë dhe demokracinë, gjithmonë modest dhe me vlera të jashtëzakonshme”, shkruan Mediu.
Ai kujton gjithashtu lidhjen e Halucit me Tropojën dhe bjeshkët, ku sipas tij mblidhte miqtë dhe familjarët në shtëpizën e tij.
“Të qoftë dheu i lehtë, miku im i shtrenjtë Skënder Haluci”, shkruan në fund të mesazhit Fatmir Mediu, ndërsa shpreh ngushëllimet për familjarët dhe vajzën e të ndjerit, e cila jeton në SHBA.
“Akoma nuk e besoj se ti u largove nga kjo jetë, do të më mungosh pa masë. Qofsh i xhenetit, miku im. Zoti i dhëntë forcë familjes tënde për të përballuar këtë moment shumë të vështirë”, përfundon Mediu.
Mesazhi i plotë i Mediut:
Të qoftë dheu i lehtë miku im i shtrenjtë Skënder Haluci.
Me hidherimin më të madh mora lajmin e largimit nga jeta krejt papritur të mikut tim Skënder Haluci.
Skënderi ishte bir i Tropojës i një familje patriote, antikomuniste
Në moshë shunë të Re u dënua me vdekje nga regjimi komunist së bashku me djalin e xhaxhait të tij Isuf Haluci si organizator të vrasjes së Ramiz Alisë.
Mbas fitores së demokracisë Skënderi u bë gjayqtar në Gjykatën e Tiranës, më tej punoj në zyrën e avokatit të popullit dhe në fund të karrierës punoj si Kryetar i Gjykatës së Vlorës
Skënderin e kam pasur një nga miqtë më të afërt i cili ishte mik në kohë të vështira, i besës dhe i fjalës.
Demokrat në shpirt dhe i palëkundur për lirinë dhe demokracinë, gjithmonë modest dhe me vlera të jashtëzakonshme.
Bashkë kemi qënë në Tropojë mbas viteve të vështira të 1997.
Nuk u nda asnjëherë nga Tropoja dhe bjeshkët e saj ku gjithmonë mblidhte miqtë dhe familjarët në shtëpizën e tij në bjeshkë. Aty dha shpirt në mënyrë të papritur në moshë të Re duke lënë në pikëllim të madh vajzën në Amerikë, familjen dhe shoqërinë e tij.
Nuk kam fjalë për ngushëllim miku im, akoma nuk e besoj se ti u largove nga kjo jetë, do më mungosh pa masë.
Qofsh i xhenetit miku im. Zoti i dhëntë forcë familjes tënde për të përballuar këtë moment shumë të vështirë.
View this post on Instagram
