Ish-kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Kristaq Kume, ka komentuar nga studiot e News24 situatën politike në kryeqytet, pas pezullimit të dekretit të Presidentit Bajram Begaj nga Gjykata Kushtetuese për zgjedhjet e parakohshme në Tiranë.
Kume u ndal në mënyrë të veçantë te kandidatura e pavarur e Florjan Binajt, i cili ka marrë mbështetjen e shumicës së opozitës së drejtuar nga Partia Demokratike. Ai theksoi se mbështetja politike për një kandidat të pavarur nuk përbën problem ligjor, por theksoi se opozita nuk do të paraqesë një kandidat zyrtar në këto zgjedhje, nëse ato zhvillohen.
“Binaj është kandidat i pavarur që mbështetet nga opozita. Kjo nuk përbën problem. Opozita, në një farë mënyre, nuk do të jetë subjekt zgjedhor për Tiranën. Nuk do regjistrohet fare si subjekt që sjell kandidat,” deklaroi Kume.
Ai shtoi se, ndonëse PD mund të regjistrohet në KQZ si subjekt dhe të jetë pjesë e një koalicioni formal, ajo nuk do të paraqesë një kandidat të sajin për kryetar bashkie.
“PD do regjistrohet si subjekt në KQZ dhe mund të bëjë koalicion, por nuk do sjellë kandidat. Kjo ngre një sërë pyetjesh që duhen diskutuar, përfshirë edhe rolin e komisionerëve dhe kushtet për pjesëmarrje.”
Një tjetër çështje që ngre Kume është përfitimi i fondeve nga partitë që nuk sjellin kandidatë në zgjedhje.
“Nëse nuk regjistrojnë asnjë kandidat, lind pyetja: a përfiton partia fonde publike për fushatën?” u shpreh ai.
Sipas Kumes, e gjithë situata krijon një terren të paqartë ligjor dhe praktik, që kërkon interpretim të saktë dhe vendimmarrje të qartë nga institucionet zgjedhore dhe ato gjyqësore.
Aktualisht, fati i zgjedhjeve të parakohshme për Bashkinë e Tiranës mbetet i paqartë, ndërsa Gjykata Kushtetuese pritet të shqyrtojë më 31 tetor padinë e Erion Veliajt për shkarkimin nga detyra.
