Një gjykatë e Koresë së Jugut dënoi të martën ish-kryeministrin Han Deok-soo me 23 vjet burg për akuza që përfshijnë nxitje të kryengritjes, në lidhje me shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në dhjetor 2024 nga ish-Presidenti Yun Suk-yeol.
Han, 76 vjeç, është ish-anëtari i parë i kabinetit që dënohet për akuza penale që lidhen drejtpërdrejt me vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme. Ekspertët ligjorë e konsiderojnë dënimin e tij si një paralajmërim për gjyqe të mundshme të ardhshme ndaj figurave të tjera të qeverisë.
Gjykata e Qarkut Qendror të Seulit e shpalli Han fajtor për lehtësimin e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, një veprim që gjyqtari e përshkroi si “rebelim nga lart”. Sipas gjykatës, Han kishte diskutuar gjithashtu planet për të mbyllur institucionet kryesore, përfshirë parlamentin. Dënimi i dhënë tejkaloi kërkesën e prokurorëve, të cilët në nëntor kishin kërkuar një dënim prej 15 vjetësh. Han u mor në paraburgim menjëherë pas shpalljes së vendimit dhe ka mundësinë të apelojë në Gjykatën Supreme. Avokati i tij konfirmoi se do të ndjekë këtë rrugë ligjore.
