KOSOVE– Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ish kryeministri Isa Mustafa, ditëve të fundit është duke u përballur me disa probleme shëndetësore dhe është shtruar në spital. Mësohet se Mustafa aktualisht e ka të pamundur të lëvizë dhe pritet do dërgohet për shërim jashtë vendit.
Burimet e Gazetës Express kanë thënë se Mustafa do të dërgohet nesër në një spital të Gjermanisë, deri në përmirësimin e gjendjes së tij. Dërgimi i Mustafës jashtë vendit për shërim e ka konfirmuar këshilltari i tij, Besnik Berisha. Ai ka thënë se Mustafa mund të udhëtojë jashtë vendit për disa ekzaminime.
“Dje personalisht e kam vizituar z. Mustafa dhe mund t’ju njoftoj se gjendja shëndetësore e Mustafa tashmë është në përmirësim e sipër dhe se trajtimi i tij është duke shkuar mjaft mirë”, ka thënë Berisha për Klan Kosova.
“Është planifikuar që në ditët në vijim të kryhen dhe disa ekzaminime të cilat ka mundësi që do të bëhen jashtë shtetit dhe z. Mustafa pritet që shpejt t’i kthehet punës dhe aktiviteteve të tij të përditshme politike dhe jo vetëm”, ka treguar më tej ai.
(BalkanWeb)
