Gjykata e Apelit të Posaçëm ka lënë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë për konfiskimin e apartamentit të ish-kreut të Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja.

Ky i fundit akuzohet se e ka fshehur në formularin e dekriminalizimit.

Apartamenti është në emër të vëllait të ish gjyqtarit të Kushtetueses. Kërkesa e SPAK për konfiskimin e pasurisë bazohet në ligjin anti-mafia.

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese Bashkim Dedja po përballet me drejtësinë për akuzën e deklarimit të rremë ose fshehjes së pasurisë. Kjo pasi ai nuk justifikon me burime të ligjshme një apartament që ka në pronësi.

Njoftimi i plote:

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Saida Dollani (kryesuese), Nertina Kosova (anëtare) dhe Miliana Muça (anëtare), sot më datë 27.01.2026, shpalli vendimin lidhur me çështjen e regjistruar mbi ankimin e paraqitur nga ankues Bashkim Dedja dhe L.D., ndaj vendimit nr. 5, datë 24.04.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, disponuar si vijon:

  1. Konfiskimin e pasurisë të paluajtshme (apartament) të regjistruar me Nr. ****, volumi ****, faqe ****, me sipërfaqe 60 m2, ndodhur në zonën kadastrale ****, Njësia Administrative ****, Bashkia ****, regjistruar në emër të shtetasit L.D, të sekuestruar me vendimin nr. 08, datë 20.04.2021 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, dhe kalimin e saj në favor të shtetit, duke urdhëruar ekzekutimin e menjëhershëm të këtij vendimi.
  2. Urdhërohet sekretaria e gjykatës, t’i dërgojë një kopje të tij Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, për ekzekutimin e menjëhershëm të vendimit. Shpenzimet gjyqësore sikurse janë bërë.
  3. Kundër këtij vendimi lejohet ankim brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga e nesërmja e njoftimit të vendimit të arsyetuar, në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.”
  4. Në përfundim, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi: – Lënien në fuqi të vendimit nr. 5, datë 24.04.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. – Shpenzimet procedurale të gjykimit në apel i ngarkohen ankuesve solidarisht. U shpall më datë 27.01.2026.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb