Ish-ministri i Administratës Publike dhe i Arsimit, Arsim Bajrami, ka shprehur gatishmërinë për të garuar për president të Kosovës, duke pretenduar se i plotëson kushtet e një kandidati konsensual, në një kohë kur vendi duhet të nxitojë për ta zgjedhur presidentin e ri.
Kuvendi i Kosovës ka kohë vetëm deri më 4 mars për ta zgjedhur presidentin e ri, pasi presidentes së tanishme, Vjosa Osmanit, i përfundon mandati në prill.
Bajrami e kërkoi mbështetjen e partisë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), dhe të partive opozitare Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), përmes një shkrimi në Facebook të enjten.
Ai tha se është i gatshëm të bëhet president duke qenë në dispozicion të institucioneve, të spektrit politik dhe të qytetarëve të vendit si kandidat konsensual.
“Me bindje se i plotësoj kushtet profesionale, politike dhe morale për një kandidaturë konsensuale në funksion të unitetit politik dhe funksionimit kushtetues të institucioneve të Republikës së Kosovës”, shkroi Bajrami.
Bajrami – i cili është ndër hartuesit e Kushtetutës së vendit – duhet t’i sigurojë të paktën 30 nënshkrime të deputetëve për të garuar, ndërsa dy të tretat e votave në Kuvendin me 120 vende për t’u zgjedhur.
Nuk është e qartë nëse ai do ta gëzonte një mbështetje të tillë.
Bajrami u largua nga politika më 2019, kur dha dorëheqje nga PDK-ja pas rreth dy dekadave në shërbim të kësaj partie.
Deri tani vetëm PDK-ja nga partitë politike ka thënë se mund të vijë me një kandidat, por nuk ka zbuluar emër, ndërsa presidentja Osmani e ka bërë të qartë se kërkon një mandat të dytë pesëvjeçar.
Ndërsa, anëtarë të familjes së heroit të Kosovës, Adem Jashari, e kanë mohuar se kanë qëllim për të garuar për president, pasi ministri i Jashtëm, Glauk Konjufca, tha të mërkurën se, nëse do të vinte një emër nga kjo familje, do të ishte një “konsensus automatik” në shoqëri.
Mungesa e një marrëveshjeje mes partive parlamentare dhe paqartësia nëse Osmani do ta fitojë mbështetjen e nevojshme për t’i rizgjedhur, kanë bërë që vendi të rrezikojë të futet në një krizë të re.
Dështimi për ta zgjedhur presidentin e vendit para 4 marsit do të nxiste zgjedhje të parakohshme parlamentare për herë të dytë brenda muajsh.
