Juristi dhe ish-ministri i PS, Elmaz Sherifi, i ftuar në emisionin “Oponencë” në News24, ka kritikuar ashpër aktualitetin politik në Shqipëri, duke vënë në dukje mungesën e integritetit dhe vizionit në drejtimin e vendit.
“Politika është mision i madh me misione emancipuese, supozohet që aty të jenë njerëzit më të ditur të kombit, me moral të lartë dhe vizion për shoqërinë. Sot në Shqipëri këto cilësi nuk i gjej,” tha Sherifi, duke shtuar se politika është bërë “gjellë e bezdisshme” që shërben vetëm për ata që përfitojnë nga kapitali i akumuluar, ndërkohë që nuk sjell mirëqenie për qytetarët.
Ish-ministri theksoi gjithashtu se mendimi politik në vend është i “vyshkur” dhe përfaqësuesit e shoqërisë shqiptare nuk reflektojnë integritetin dhe aftësitë që duhet të kenë liderët politikë. Ai kujtoi se u largua nga Partia Socialiste në vitin 2012 për shkak të mosdakordësisë me politikën e kohës, duke krijuar më pas një subjekt të ri politik që mbështetej në idetë e rilindësve dhe të Sami Frashëri.
Sherifi kritikoi gjithashtu rolin e shtetit në ekonominë dhe shoqërinë shqiptare, duke theksuar mungesën e partneriteteve sociale dhe ndikimin minimal të sindikatave. Ai vuri në dukje se në vendet europiane progresi ka ardhur përmes ligjeve dhe bashkëpunimit mes punëdhënësve, punëmarrësve dhe shtetit, ndërsa në Shqipëri shteti ka marrë rolin e liderit, duke mos funksionuar si partner social.
“Mirëqenia sot është meritë e sistemit politik dhe jo e qeverisjes,” përfundoi ai, duke nxjerrë në pah nevojën për një vizion largpamës dhe reformim të politikës shqiptare.
