Nga: KLODJANA HAXHIAJ*
DURRES- Rreth 50 të rinj, ish-përdorues droge si dhe prindërit e tyre kanë protestuar dje para Drejtorisë së Policisë së Durrësit, duke kërkuar marrjen e metadonit. Gjatë kësaj proteste, ata kanë bërë me dije se prej dy ditësh, mjeku nuk ka shpërndarë dozat e këtij medikamenti, duke sjellë kështu kriza paniku tek të rinjtë. Familjarët janë shprehur të shqetësuar duke thënë se fëmijët e tyre rrezikojnë që t’i rikthehen sërish drogës.

“Jemi në ankth, pasi fëmijët tanë mund të nisin sërish përdorimin e drogës. Ata kanë dy ditë pa marrë metadonin nga mjeku, ashtu siç u është shkruar në recetë. Çfarë po bëhet kështu?”, është shprehur nëna e njërit prej të rinjve, e cila kishte dalë në protestë. Ndërkohë, edhe vetë personat të cilët janë duke iu nënshtruar rehabilitimit për të lënë drogën, shprehen se po të marrin këtë medikament, nuk kanë më dëshirë për të marrë heroinë. “Ky ilaç është hedhur në treg vetëm për të zëvendësuar heroinën. Metadoni u jepet përdoruesve çdo mëngjes dhe çdo pasdite nga një dozë dhe nëse kanë mungesa të tij, personat që e përdorin atë rrezikojnë që të marrin drogë”, thanë pjesëmarrësit në protestë.

METADONI
Është një ilaç në formën e tabletave që përmban 5 mg, 10 mg ose 40 mg. Ky medikament përdoret duke u shkrirë në ujë, që matet dhe shpërndahet nga një pompë automatike. Në këtë mënyrë dozat mund të maten dhe në 1 ose 2 mg. Për shumicën e njerëzve, efekti i metadonit zgjat nga 24 deri në 36 orë në një marrje të vetme. Mësohet se metadoni është përdorur për disa vite me radhë si trajtim dhe kundërveprues për heroinën. Ky medikament ka veprim të gjatë dhe tek disa persona duhet konsumuar një herë në ditë, e tek disa të tjerë dy herë në ditë.

Ai është një ilaç në gjendje të lëngët dhe duhet konsumuar nëpërmjet gojës, pa e injektuar në ndonjë pjesë të trupit. Nuk ka efekt eufozorant dhe shmang simptomat e zverdhjes pa nxitur varësinë psikologjike. Metadoni është një preparat dhe në gjuhën e folur mund ta përcaktojmë si një ilaç që ka edhe efektet e drogës, por jo ato efekte negative që japin disa lloje drogash, e sidomos heroina. Nuk ka efekte, të cilat ndikojnë në ndryshimin e sjelljes dhe të gjithë ata persona që bëjnë terapinë me metadon nuk bëhen të varur ndaj tij, sikundër mund edhe të ndodhë me droga të llojeve të tjera.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: