Një gjykatë në Ekuador shpalli të premten fajtor ish-presidentin Lenin Moreno (2017–2021), nën akuzën se kishte marrë ryshfet nga një kompani kineze ndërtimi në këmbim të përfitimit të një kontrate publike për ndërtimin e një hidrocentrali.

Prokuroria bëri të ditur se në këtë çështje, që lidhet me kompaninë kineze Sinohydro, janë shpallur fajtorë katër persona, mes tyre edhe Moreno. Veprat penale dyshohet se janë kryer gjatë periudhës 2007–2013, kur Moreno ishte zëvendëspresident i Rafael Correas.

Gjykata ende nuk ka përcaktuar dënimin për ish-presidentin. Prokuroria ka kërkuar që ai të dënohet me 6 vjet e 6 muaj burg.

Sipas akuzës, Moreno ishte pjesë e një rrjeti korrupsioni që veproi nga viti 2009 deri në vitin 2018 dhe që lidhej me dhënien e kontratës për ndërtimin e hidrocentralit Coca Codo Sinclair, një prej projekteve më të mëdha energjetike të Ekuadorit.

Moreno, 73 vjeç, i cili lëviz me karrige me rrota, ka mohuar vazhdimisht akuzat. Ai pretendon se çështja është pjesë e një persekutimi politik të orkestruar nga ish-presidenti Rafael Correa.

Rreth 20 persona të tjerë janë përfshirë në hetim, mes tyre bashkëshortja dhe vajza e Morenos, drejtues biznesesh, si dhe një ish-ambasador kinez në Quito.

Pas shpalljes së vendimit, ish-presidenti përsëriti se nuk kishte marrë “asnjë qindarkë nga Sinohydro”. Kompania kineze akuzohet se ka paguar rreth 76 milionë dollarë në ryshfete për të siguruar kontrata në Ekuador.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb