Një fotografi që po dominon titujt e gazetave dhe faqet e lajmeve në mbarë botën pritet të mbetet si një nga imazhet më ikonike të momentit: Princi Andrew, i rrëzuar nga detyra, i shokuar, i ulur në sediljen e pasme të një makine menjëherë pas arrestimit të tij. Fotografia u realizua nga fotografi i Reuters, Phil Noble, i cili priti me orë të tëra jashtë stacionit të policisë në qytetin historik të Aylsham, në Norfolk, pasi kishte marrë një informacion se princi do të transferohej atje.
Nga gjashtë fotot që arriti të realizonte në errësirë dhe në lëvizje, vetëm njëra tregonte qartë fytyrën e vëllait të Charles III. Noble e përshkroi për BBC ndjesinë e të parit të fotos së tij të bëhej imazhi kryesor i një lajmi kaq të rëndësishëm si “surreal”, duke theksuar se, edhe pse teknikisht mund të mos jetë më e mira e karrierës së tij, padyshim është ndër më të rëndësishmet.
Sipas raportimeve, Prince Andrew u arrestua të enjten në mëngjes në pronën e tij në Sandringham, në Norfolk. Rreth orës 08:00 me orën lokale, automjete pa targa mbërritën në rezidencën e tij dhe ai u dërgua në një stacion policor lokal për t’u marrë në pyetje në ditëlindjen e tij të 66-të, nën dyshimin për shpërdorim detyre. Incidenti konsiderohet historik, pasi është arrestimi i parë i një anëtari të lartë të familjes mbretërore britanike në kohët moderne.
Fotografi, me origjinë nga Liverpuli dhe banues në Mançester, u nis menjëherë drejt Norfolkut sapo u përhap lajmi për arrestimin. Arrestimi u krye nga Policia e Luginës së Thames, gjë që e bënte të paqartë se në cilin stacion do të dërgohej i dyshuari, pasi zona e mbulimit përfshin disa qytete në juglindje të Anglisë. Duke vepruar mbi një informacion, Noble zgjodhi të priste në Aylsham, më shumë se një orë larg me makinë nga Sandringham. Pas rreth gjashtë orësh pritjeje në të ftohtë dhe pa lëvizje të dukshme, ai ishte larguar drejt një hoteli, kur mori një telefonatë vendimtare nga kolegia e tij në Reuters, Marissa Davison, e cila e informoi se automjetet që transportonin Andrew-n sapo kishin mbërritur. Noble u kthye me vrap dhe arriti të fotografojë momentin kur makinat po largoheshin me shpejtësi.
Ai u përqendrua në automjetin e dytë, duke hamendësuar se ku mund të ishte ulur princi dhe duke rregulluar shpejt kuadrin dhe blicin. Dy nga fotot tregonin vetëm oficerët e policisë, dy ishin pothuajse bosh dhe njëra ishte e turbullt. Por një kuadër i vetëm kapi qartë fytyrën e Andrew-t në errësirë, me reflektimin e blicit në sytë e tij, duke krijuar një efekt të kuq të ndezur. Ishte pikërisht kjo fotografi që bëri xhiron e botës. Jonathan Williams nga Birmingham theksoi rolin thelbësor të fotoreporterëve në ngjarje të tilla, duke vënë në dukje se fotografia është shpesh “porta hyrëse” që e çon publikun drejt informacionit. “Kur reflektojmë mbi ngjarje historike, njerëzit kthehen te një imazh i vetëm që kap momentin”, tha ai, duke shtuar se kjo foto pritet të mbetet për një kohë të gjatë në kujtesën kolektive si simbol i një kapitulli të jashtëzakonshëm në historinë moderne britanike.
How Reuters captured the photo of former Prince Andrew leaving custody https://t.co/32oGRp24Py pic.twitter.com/VICVQcBOJd
— Reuters (@Reuters) February 20, 2026
