Ish-reperi i kthyer në politikan, Balendra Shah, është betuar si kryeministër i Nepali, duke marrë drejtimin e vendit në një moment sfidash të mëdha politike dhe ekonomike. 35-vjeçari vjen në pushtet pas një fitoreje bindëse të Partisë së tij Kombëtare të Pavarur (RSP), e themeluar vetëm tre vite më parë, e cila siguroi 182 nga 275 vendet në zgjedhjet parlamentare të 5 marsit. Këto ishin zgjedhjet e para pas protestave të dhunshme kundër korrupsionit të udhëhequra nga të rinjtë e Gjeneratës Z në shtatorin e kaluar, që lanë pas 76 viktima.
Ish-kryebashkiak i kryeqytetit Katmandu, Shah bëhet një nga kryeministrat më të rinj të vendit në dekada, si dhe i pari përfaqësues i komunitetit “Madesi” që drejton shtetin Himalayan, i vendosur mes dy fuqive të mëdha rajonale, India dhe Kina. Ceremonia e betimit u zhvillua në pallatin presidencial në prani të diplomatëve dhe zyrtarëve të lartë, ndërsa pritshmëritë për qeverinë e re janë të larta. Analisti politik Puranjan Acharya theksoi se prova e parë për Shah do të jetë ofrimi i shërbimeve të shpejta dhe efektive për qytetarët, të cilët kërkojnë sinjale të menjëhershme të një qeverisjeje më të mirë.
Një nga sfidat kryesore mbetet zbatimi i rekomandimeve të një komisioni që hetoi dhunën gjatë protestave kundër korrupsionit. Raporti kërkon ndjekjen penale të përgjegjësve për shtypjen e protestave, përfshirë ish-kryeministrin K.P. Sharma Oli. Protestat e udhëhequra nga të rinjtë janë nxitur nga mungesa e vendeve të punës dhe korrupsioni i përhapur në vendin me rreth 30 milionë banorë, ku një pjesë e konsiderueshme e popullsisë jeton në varfëri dhe mijëra qytetarë largohen çdo ditë për të kërkuar punë jashtë vendit. Nepali përballet prej dekadash me paqëndrueshmëri politike, me 32 qeveri që kanë ardhur në pushtet që nga viti 1990, asnjëra prej të cilave nuk ka arritur të përfundojë një mandat të plotë pesëvjeçar.
Nepal's rapper-turned-politician Balendra Shah, set to be sworn in as the new prime minister, issued his first post-election message via a rap song on Thursday, urging unity. https://t.co/wJoqVSEnTh pic.twitter.com/GdzoC9piR7
— AFP News Agency (@AFP) March 26, 2026
