NGA: ORNELA MANJANI*
Drejtoresha e Pagesave dhe Dëmshpërbli meve për ish-të dënuarit politikë në Ministrinë e Financave, Alma Delija, shpjegon skemën që do të ndiqet për kompensimin e kategorive parësore për shpërndarjen e këstit të pestë dhe të gjashtë. Fondi i vënë në dispozicion nga buxheti i shtetit prej 2 miliardë lekësh do të shpërndahet në masën 70% të tij brenda gjashtë muajve të parë të këtij viti. Ministria e Financave ka gati për pagesa 23 mijë dosje ish-të përndjekurish politikë të cilët janë për t’u trajtuar financiarisht. Fillimisht do të marrin këstin e pestë përfituesit që janë pjesë e skemës parësore, më pas do të nisë shpërndarja e këstit të gjashtë. Sipas Deliajt, në rast se kësti i gjashtë për këtë kategori përfundon brenda këtij viti, dy këstet e fundit, i shtati dhe i teti do të paguhen vitin tjetër, çka do të thotë përmbyllje e gjithë procesit të dëmshpërblimit për gjithë kategorinë parësore, e cila ndahet në gjashtë nënkategori.
Drejtoresha e Dëmshpërblimeve bën të ditur se pagesat do të kryhen fillimisht për kategorinë e parë, që është kategoria parësore, në të cilën përfshihen: gra, ish-të dënuara që jetojnë në momentin e pagesës; në kategorinë e dytë me prioritet, persona ish-të dënuar mbi 75 vjeç në datën e hyrjes në fuqi të ligjit që vazhdojnë të jenë gjallë; në kategorinë e tretë me prioritet, persona ish-të dënuar politikë të gjallë që vuajnë nga sëmundje të rënda; në kategorinë e katërt me prioritet, persona ish-të dënuar që janë gjallë, të cilët, pavarësisht moshës në momentin e pagesës, kanë fëmijë të mitur nën moshën 18 vjeç; në kategorinë e pestë me prioritet, persona ish-të dënuar që nuk jetojnë, por në momentin e pagesës kanë trashëgimtarë të radhës së parë në moshë të mitur nën 18 vjeç; dhe në kategorinë e gjashtë me prioritet, persona ish-të dënuar që janë gjallë dhe në momentin e pagesës nuk kanë mbushur moshën 75 vjeç. Drejtoresha e Dëmshpërblimeve i është përgjigjur interesit të gazetarëve në lidhje me pagesat.
Si po ecën shpërndarja e kësteve për vitin 2016?
Situata për vitin 2016, me miratimin e buxhetit prej 2 miliardë lekësh, ka vijuar me shpërndarjen e kësteve për të gjallët, kategoria parësore. Vetëm në muajt janar dhe shkurt janë shpërndarë 250 milionë lekë për këtë kategori. Ndërkohë që është gati pagesa prej 30 milionësh, e cila do të kalojë sot në llogaritë e përfituesve.
Me cilin këst po punon tani Drejtoria e Dëmshpërblimeve?
Aktualisht po punohet për këstet për të gjallët, jemi duke punuar për 5 këstet. Në rast se një përfitues nuk ka përfituar këstin e katërt dhe të pestë, duhet të paraqitet pranë Ministrisë së Financave për të dorëzuar certifikatën personale të muajit të fundit me vulë të njomë dhe numrin e llogarisë bankare, i cili duhet të jetë aktiv. Menjëherë pas dorëzimit të dokumenteve, ai hyn në radhë dhe përfiton këstin e katërt dhe të pestë.
A ka nisur puna për pagesat e këstit të gjashtë?
Ka qytetarë që kërkojnë këstin e gjashtë. Ne nuk kemi filluar ende me shpërndarjen e këtij kësti, dhe është një nga objektivat nisja e shpërndarjes së këstit të gjashtë për kategorinë parësore brenda këtij viti, por kjo do të varet nga ecuria e punës. Ne presim dokumentet dhe në bazë të tyre do të nisë puna për pagesën e këstit. Njëkohësisht, objekti për këtë vit është që të shpërndahet për të gjithë përfituesit kësti i pestë për të gjithë të gjallët, dhe të fillojmë me të gjashtin dhe të shtatin.
Kur parashikoni të mbyllni pagesat me 8 këstet për kategorinë parësore?
Në rast se këtë vit do të mund të mbyllim këstin e gjashtë, vitin tjetër mund të mbyllen kësti i shtatë dhe i tetë. Kategoria parësore, 2.300 përfitues të gjallë.
DOKUMENTET PËR KATEGORITË PARËSORE
1. Ish-të dënuarat politike gra, që jetojnë në momentin e dhënies së pagesës:
1 Certifikatë personale jo më e vjetër se një javë nga data e dorëzimit.
2 Vërtetim për numrin e llogarisë bankare, në një nga bankat e nivelit të dytë, për ish të dënuarën politike
2. Ish-të dënuarit politikë, që jetojnë në momentin e dhënies së pagesës dhe që kanë moshën mbi 75 vjeç me hyrjen në fuqi të ligjit 94/2014: 1- Certifikatë personale jo më e vjetër se një javë nga data e dorëzimit.
2- Vërtetim për numrin e llogarisë bankare, në një nga bankat e nivelit të dytë, për ish të dënuarin politik ose të kujdestarit të tij ligjor, kur ai ka humbur zotësinë juridike për të vepruar.
3. Ish-të dënuarit politikë, të cilët vuajnë nga sëmundje të rënda, sipas përcaktimit të aktit nënligjor të posaçëm:
1. Certifikatë personale jo më e vjetër se një javë nga data e dorëzimit.
2. Vërtetim për numrin e llogarisë bankare, në një nga bankat e nivelit të dytë, për ish të dënuarin politikë. 3. Dokumentacioni që vërteton sëmundjet e rënda.
4. Ish-të dënuarit politikë që jetojnë në momentin e dhënies së pagesës, të cilët pavarësisht nga mosha, kanë pasardhës të radhës së parë në moshë të mitur, me hyrjen në fuqi të këtij ligji;
1. Certifikatë personale jo më e vjetër sesa një javë nga data e dorëzimit;
2. Certifikatë familjare ku të përfshihet fëmija i mitur;
3. Certifikatë personale të fëmijës/fëmijëve të mitur;
4. Vërtetim për numrin e llogarisë bankare, në një nga bankat e nivelit të dytë, për ish të dënuarin politikë.
5. Ish-të dënuarit politikë që nuk jetojnë dhe që kanë trashëgimtarë të radhës së parë, të cilët janë në moshë të mitur, me hyrjen në fuqi të këtij ligji:
1. Certifikatë vdekje e ish të dënuarit politik, origjinale;
2. Certifikatë origjinale e trungut familjar të ish të dënuarit politik, ku të përfshihen: fëmija/fëmijët e mitur. Certifikata e trungut nuk mund të zëvendësohet me certifikatë familjare.
3. Certifikatë personale e të miturit/miturve, trashëgimtarë të radhës së parë të ish të dënuarit politik që nuk jeton.
4. Akt trashëgimie ligjore për të dënuarin politik, origjinale ose fotokopje e noterizuar.
5. Vendim Gjykate të kujdestarisë mbi të miturin në rastin kur edhe nëna/babai i të miturit nuk jeton më.
6. Nr. llogarie bankare në lekë në njërën nga bankat e nivelit të dytë që vepron brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, në emër të kujdestarit ligjor të të miturit.
7. Dokument identiteti (kopje ID-je, Pasaporte) të kujdestarit ligjor, 6. Ish-të dënuarit politikë që jetojnë, në momentin e dhënies së pagesës dhe që kanë moshë nën 75 vjeç me hyrjen në fuqi të këtij ligji.
1- Certifikatë personale jo më e vjetër se një javë nga data e dorëzimit.
2- Vërtetim për numrin e llogarisë bankare, në një nga bankat e nivelit të dytë, për ish-të dënuarin politik. Kur ish-i dënuari politik që jeton ka humbur zotësinë juridike për të vepruar, kujdestari ligjor.
(ed.me/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)
