NGA: ORNELA MANJANI*
Ministria Financave çel procedurat për pagesat e këstit të gjashtë të ish-të dënuarve politikë, kategoria parësore. Bëhet fjalë për gjashtë kategoritë që përfshijnë ishtë dënuarat gra, burrat mbi 75 vjeç, ish-të dënuarit që vuajnë nga sëmundje, pavarësisht moshës dhe trashëgimtarë të të dënuarve që janë mbi 75 vjeç. Të gjitha subjektet përfituese, pjesë e listës për pagesën e këstit të gjashtë të kategorisë parësore duhet të dërgojnë dorazi ose me postë në Ministrinë e Financave dokumentet e parashikuara në aktet nënligjore. Lista me dokumentet publikohet nga “Gazeta Shqiptare”. Ndërkohë, në faqen e Ministrisë së Financave janë publikuar dy lista me ish-të dënuar, që kanë mangësi në dosjet e tyre.
GJASHTË KATEGORITË
Të parat në listë janë gratë ish-të dënuara, që jetojnë në momentin e pagesës. Përfitueset duhet të paraqesin certifikatë personale jo më e vjetër sesa një javë nga data e dorëzimit dhe numër llogarie bankare në lek në njërën nga bankat e nivelit të dytë, që vepron brenda territorit të Republikës së Shqipërisë. Sipas urdhrit të Ministrisë së Financave, në kategorinë e dytë me prioritet janë persona ish-të dënuar mbi 75 vjeç në datën e hyrjes në fuqi të ligjit, që vazhdojnë të jenë gjallë. Kjo kategori duhet të paraqesë certifikatë personale jo më e vjetër se një javë nga data e dorëzimit dhe numrin e llogarisë. Ndërsa në kategorinë e tretë me prioritet janë persona ish-të dënuar politikë të gjallë, që vuajnë nga sëmundje të rënda.
Kjo kategori duhet të paraqesë raport mjeko- ligjor, origjinal me emra dhe mbiemra të anëtarëve, me firmë të gjithsecilit dhe me vulë, jo kopje) për paaftësi të plotë për punë, e lëshuar nga KEMCAP; raport mjeko- ligjor për sëmundje onkologjike dhe sëmundje të gjakut të pashërueshme të lëshuar nga Qendra Shëndetësore Universitare “Nënë Tereza”, Qendra Shëndetësore Universitare “Shefqet Ndroqi”, certifikatë personale dhe numrin e llogarisë bankare në lek. Në kategorinë e katërt me prioritet janë për persona ish-të dënuar që janë gjallë, të cilët pavarësisht moshës, në momentin e pagesës kanë fëmijë të mitur nën moshën 18 vjeç. Përfituesit e kësaj kategorie duhet të paraqesin certifikatë personale jo më e vjetër sesa një javë nga data e dorëzimit, certifikatë familjare, ku të përfshihet fëmija i mitur, certifikatë personale të fëmijës/fëmijëve të mitur dhe numër llogarie bankare në lek. Ndërsa për kategorinë e pestë me prioritet “Për persona ish-të dënuar që nuk jetojnë, por në momentin e pagesës kanë trashëgimtarë të radhës së parë në moshë të mitur nën 18 vjeç”.
Përfituesit duhet të paraqesin certifikatë vdekjeje të personit ish-të dënuar, certifikatë personale të të miturit/miturve, trashëgimtarë të radhës së parë të personit ish-të dënuar që nuk jeton më, certifikatë familjare të ish-të dënuarit, ku të përfshihen fëmija/ fëmijët e mitur, dëshmi trashëgimie që të vërtetojë se fëmija i mitur është trashëgimtar ligjor. Vendim gjykate të kujdestarisë mbi të miturin në rastin kur edhe nëna e të miturit nuk jeton më dhe numër llogarie bankare. Për kategorinë e gjashtë me prioritet, “Për persona ish-të dënuar që janë gjallë dhe në momentin e pagesës nuk kanë mbushur 75 vjeç”, të cilët duhet të dorëzojnë certifikatë personale jo më e vjetër se një javë nga data e dorëzimit dhe numër llogarie.
(Listen e plote mund ta lexoni sot ne Gazeta Shqiptare ne print)
(ed.me/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)
