NGA: ORNELA MANJANI
Ministria e Financave do të nisë të shpërndajë brenda javës së ardhshme pagesat për trashëgimtarët e ish-të dënuarve politikë. Përfituesit do të marrin këstin e tretë. Pagesat do të kryhen për të gjitha dosjet që janë dorëzuar dokumentet pranë Drejtorisë së Dëmshpërblimeve. Dy dokumentet kryesore janë prokura dhe numri i llogarisë bankare, ndërsa pagesat do të kryhen sipas numrit rendor të pagesës paraardhëse.

Burime nga Ministria e Financave bëjnë të ditur se pagesat për kategorinë joparësore, ku përfshihen trashëgimtarët e parë dhe të dy të ish-të dënuarve politikë, kanë ecur me ritme të avashta për shkak të mungesës së dokumentacionit. Për trashëgimtarët, fëmijët, nipërit dhe mbesat e ish-të përndjekurve po shpërndahet kësti i dytë dhe në përfundim të tij do të nisë ndarja e këstit të tretë. Pagesat do të kryhen në bazë të numrit rendor të pagesës së këstit pararendës. Në bazë të buxhetit vjetor të vënë në dispozicion, fondi i dëmshpërblimit për ish-të dënuarit politikë nga regjimi komu nist është ndarë, në mënyrë proporcionale, në një raport prej 70 për qind për të gjitha kategoritë e subjekteve përfituese parësore, dhe 30 për qind për trashëgimtarët e ish-të dënuarve.

TRASHËGIMTARËT
Për trashëgimtarët e ishtë përndjekurve që nuk jetojnë duhet akt trashëgimie, certifikatë vdekjeje të të dënuarit, certifikatë trungu të të dënuarit, numër llogarie bankare aktive për çdo përfitues ose prokurë dhe dokument identifikimi për përfituesit. Sipas Ministrisë së Financave, në qoftë se një ose disa nga trashëgimtarët e radhës së parë nuk jetojnë më, atëherë njëri nga trashëgimtarët në marrëveshje duhet të dorëzojnë akt noterial trashëgimie për çdo trashëgimtar të radhës së parë që nuk jeton më, certifikatë vdekjeje për çdo trashëgimtar të radhës së parë që nuk jeton më, certifikatë të trungut familjar të çdo trashëgimtari të radhës së parë që nuk jeton më. Për të njëjtën kategori duhet të dorëzohet pranë Ministrisë së Financave një numër llogarie aktive bankare për të gjithë trashëgimtarët e trashëgimtarëve të radhës së parë që nuk jetojnë më dhe fotokopje të kartës së identitetit apo pasaportës të çdo trashëgimtari që vjen nga trashëgimtarët e radhës së parë, që i lind e drejta për dëmshpërblim.

Ministria e Financave bën të ditur se, në qoftë se njëri ose disa trashëgimtarë të radhës së dytë nuk jetojnë më, e drejta e tyre për dëmshpërblim nuk vazhdon më tej. Në këtë rast, llogaritja e pjesës takuese të këstit bëhet mbi bazën e trashëgimtarëve që janë gjallë. Nga ana e trashëgimtarëve që jetojnë, në marrëveshje, paraqesin certifikatën e vdekjes së trashëgimtarit që nuk jeton, të cilën e postojnë së bashku me numrin e dosjes në adresën sipas paragrafit të parë të këtij sqarimi. Sipas ligjit “Për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist”, nr.9831, datë 12.11.2007 (ndryshuar me ligjin nr. 10 111, datë 2.4.2009), në këtë dokument do të quhen trashëgimtar i radhës së parë nëna, babai, bashkëshortja, fëmijët dhe vëllezërit dhe motrat kur nuk ka trashëgimtarë, nënë, baba, bashkëshorte apo fëmijë. Ndërsa trashëgimtar i radhës së dytë janë fëmijët e fëmijëve ose fëmijët e vëllezërve dhe motrave, kur nuk ka fëmijë të fëmijëve.
(ed.me/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb