TIRANË-Ish të përndjekurit politikë kanë tentuar sot paradite të shembin bunkerin që po ndërtohet si pjesë e një Muzeu të Komunizmit që të con në tunelet e nëndheshme të ndërtuara gjatë kohës së diktaturës.
Ngjarja u shënua pikërisht në vendin ku po ndërtohet ky simbol që do të shërbejë si hyrje në këtë Muze.

Gjatë tentativës për prishjen e bunkerit artistik, ish të përndjekurit janë përplasur me policinë që i ka ndaluar në veprimet e mëtejshme.

Për të qetësuar ujrat ka ndërhyrë këshilltari i djathtë në Bashkinë e Tiranës, Leonard Olli.

Ish të përndjekurit politikë kanë mundur të prishin mburojën e bunkerit ndërsa shprehen se ky është një provokim i rëndë ndaj vuajtjeve që kanë hequr në kohën e komunizmit. Sipas tyre e tillë ka qenë dhe festa në Pezë, e organizuar nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, zoti Erjon Veliaj.
“Të dorëhiqet Veliaj! Poshtë komunizmi”, janë thirrjet e ish të përndjekurve politikë.

“Parlamenti sot është i mbushur me ish­-sigurimsa, kemi mazhorancë me moshë të re, por me mentatitet utopist komunist, për të rehabilituar diktatorin. Parlamenti i dalë në 23 qershor është i mbushur me ish-­operativa sigurimi, me biznesmenë të dyshuar në afera korruptive, kemi kryetarin e Komisionit të Ligjit personalitet të diktaturës, kreun e Komisionit të Sigurisë, prokuror të diktaturës, kemi një ministër drejtësie hetues të diktaturës”­ tha një nga përfaqesuesit e ish të përndjekurve.

Sipas ish të përndjekurve opozita nuk duhet të heshtë, por të bllokojë parlamentin.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb