Për ish-trajnerin e Vllaznisë, Hysen Dedja, situata që po kalon Vllaznia është kalimtare. Ai është i mendimit se kjo skuadër ka forca ta kapërcejë shpejt momentin e keq dhe se do të jetë mes 4 më të mirave të kampionatit. Dedja beson se Vllaznia, me paraqitjet që ka bërë dhe lojtarët që ka, është e aftë për të konkurruar dhe për të qenë fituese e të dy trofeve. Apeli i tij në intervistën për “Panorama Sport” është që në këto ndeshje të fundit kuqeblutë të japin më shumë se 100%-shin e tyre në fushën e blertë.

 

Dedja, çfarë gjykimi keni për krizën e Vllaznisë në këto javë të fundit të kampionatit?

Mund të them se çdo ekip ka një ngritje dhe pastaj është normale që të ketë edhe luhatje në lojë, çka përçohet pastaj edhe te rezultatet. Mendoj se Vllaznia ka humbur shpirtin dhe grintën që kishte në atë seri të gjatë rezultatesh pozitive. Të jem i sinqertë, e kam thënë edhe më parë se pavarësisht rezultateve, loja e Vllaznisë nuk ka qenë shumë bindëse. Pra, do të thosha që ekipi nuk ka qenë përherë dominues total ndaj kundërshtarit që ka pasur përballë. Asnjë ekip nuk e kemi mundur në të gjithë aspektet. Gjithsesi, rezultatet ishin ato që na bënë që të flisnim me superlativa për këtë skuadër. Nuk mund të them nëse ka probleme të formës apo probleme fizike, këtë e di më mirë stafi teknik, por mendoj se ajo që sot po i mungon është shpirti i garës dhe dëshira për të dhënë më të mirën. Gjykoj se një ndikim të madh ka edhe rritja e presionit. Ekipin e shikoj të mbingarkuar në këtë aspekt. Edhe fjalët se kryebashkiaku apo kryeministri po ndikojnë për t’i dhënë titullin Vllaznisë, kanë ndikimin e vet dhe të mbarë atmosfera. Kjo përcillet edhe te lojtarët. Ndoshta të gjitha së bashku kanë ndikimin e vet pak e nga pak.

Si mendoni, a e rrezikon Vllaznia katërshen me këtë gjendje që ka aktualisht?

Mendoj që jo. Në asnjë rast nuk e shikoj Vllazninë jashtë katërshes. Pavarësisht këtyre momenteve, mendoj se Vllaznia do ta gjejë sërish forca dhe do të jetë pjesë e katërshes.

Mund ta kthejë titullin në Shkodër pas kaq shumë vitesh?

Mendimi im është se po. Kur i shikon, të gjitha ekipet në këto momente nuk i dallon shumë nga njëri-tjetri. Janë dy përballje finale dhe mund të ndodhë gjithçka. Ato dy takime, pasi të jesh në katërshe, e ndajnë titullin kampion.

Po në Kupë, si e shikoni, mund ta përmbysë Egnatian për të shkuar në finale?

Me sa di unë, ekipi do të ketë dy mungesa të rëndësishme për takimin e dytë. Megjithatë, me atë rezultat dhe me shpirtin që tregoi në përballjen e parë, asgjë nuk është e pamundur. Besoj te kualifikimi në finale të Kupës.

Çfarë duhet që të rregullojë Vllaznia, që të kthehet te rezultatet që kishte?

Që në kohën kur luanim ne, më përpara dhe tani në vazhdim, na është dashur që të japim më shumë se 100% në stërvitje dhe në fushën e lojës për të dalë kampionë, apo për të fituar Kupën. Prandaj e them me plot bindje se djemtë duhet të tregojnë një shpirt të lartë gare, të shprehin dëshirën që kanë shprehur gjatë atyre javëve pozitive që kishin. Të japin mbi maksimumin e tyre dhe besoj se do të dinë që t’i kalojnë këto momente.

Si e shikon kampionatin në tërësi deri në këtë pikë, me formulën e re që është aplikuar?

Mund të them se shikoj një kampionat shumë të dobët. Po shikojmë se ndodhin gjithfarë rezultatesh. Mungon tifozëria thuajse në çdo takim dhe për çdo skuadër. Ndoshta nisur edhe nga formula e kampionatit mungojnë emocionet në ndeshje dhe sidomos edhe në përballjet e rëndësishme, apo të rivalëve direkt.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb