Vëzhgimi i Vetting
Ish-Uzina e Superfosfatit në Laç
Nëse udhëton nëpër qytetet që dikur kishin krenarinë e tyre ngritjen dhe zhvillimin e ndërmarrjeve si epitet ekonomie, tanimë këto qytete mbartin eshtrat e fundit të këtyre uzinave, duke pritur t’iu hidhet një sy pas një braktisjeje prej tre dekadash.
Një nga rastet është edhe ish-Uzina e Superfosfatit në Laç. “Lindur” në vitin 1967, kjo ndërmarrje e ktheu Laçin nga një fshat me popullsi të vogël, në një nga qytetet më të zhvilluara industriale të kohës së regjimit komunist. Dhe jo vetëm. Kjo lindje aktiviteti solli rritjen dhe zhvillimin e banorëve, qoftë në aspektin ekonomik, edhe në atë social-kulturor.
Inxhinierë, kimistë, ekspertë të ndryshëm erdhën nga jugu i Shqipërisë, ndërkohë që uzina ndërtohej dhe numri i vendeve të punës sa vinte dhe rritej. Puna u kthye në tre turne, në mënyrë që veprimtaria të mos pushonte në asnjë moment dhe çdo detyrë të kryhej me përpikmëri.
“Qyteti ishte përzgjedhur në mënyrë të studiuar sepse aty kryqëzoheshin edhe rrugët hekurudhore, edhe rrugët automoblisitike. Dhe të gjitha prodhimet industriale grumbulloheshin përmes transportit shumë lehtë në atë vend. Mirëpo nga një fshat me dy-tre banorë, u kthye në një qytet industrial ku banorët edhe jetonin, por edhe punonin pranë uzinës”, tha antropologu Alfred Halilaj. Ai shtoi më tej se uzina ishte e dëshiruar, për shkak se ishte dhe afër kryeqytetit, duke ofruar mundësi karriere.
Në pamje të parë të këtij qyteti të sapolindur prej krijimit të një uzine me teknologjitë më moderne të ardhur nga Kina, në atë kohë, faktikisht problemet sa kishin nisur.
“Tani probleme të përditshme domethënë, dihej që reparte të caktuara, sidomos gjithë uzina ishte e klasifikuar që kishte ndotje kimike. Aq më tepër, që në qoftë se flitet për pesticide, qoftë undicide, qoftë insekticide, dihet që vetë fjala acide dhe pesto pesë janë për të vrarë”, tha Magdalena Cara, ish-teknologia e Uzinës së Superfosfatit në Laç.
Në një eksperiencë dy-vjeçare në Kombinatin Metalurgjik të Laçit, prej vitit 1988-1990, ish-teknologia tregoi se aty prodhoheshin elementët kryesorë të bujqësisë siç ishte superfosfati pluhur, florosilikati i natriumit, sulfati i bakrit etj. Këto kimikate krijonin probleme në frymëmarrje, depozitime, kalcifikime në mushkëri.
“Unë kisha në atë kohë edhe vdekje në uzinë, punëtorë të vinçit që punonin te superfosfati
pluhur, në moshën e 54-vjeçe ose 50 vjeçe. Kemi patur dy-tre vdekje me ato në uzinë, thjesht nga
ekspozimet, që kishin këto punëtorë”, thotë më tej ish-teknologia Cara. Ajo shton se “antidoti” i vetëm që u jepej të gjithë stafit të uzinës ishte një gjysëm litri qumësht pluhur, i përzier me ujë, kinse për të larguar ekspozimet e kimikateve. “Aty ka qenë një, si të thuash, në kohën që unë kam punuar, ka qenë dhe piku i punës, por edhe piku i varfërisë në atë kohë.”
Ditët në kalendar iknin, koha kalonte dhe rënia e bustit të diktatorit, solli edhe rënien e ndërmarrjeve të mëdha. Ishte fillimi i viteve 2000, i cili shënoi mbylljen e Uzinës së Superfosfatit në Laç, duke lënë kështu shumë njerëz të papunë. Pas nuk u la vetëm kaq.
Hyrja e supozuar e kësaj sipërfaqeje prej 38 hektarësh, që dikur gumëzhinte nga puna 24 orarëshe, tashmë mbizotëron vetëm zhurma e makinave që kalojnë në rrugën ngjitur dhe heshtja e elementëve të cilët janë të rrezikshëm për shëndetin e komunitetit përreth. Këta elementë nuk janë larguar asnjëherë, që nga fillimi i uzinës e deri në gjendjen që është sot, duke rrezikuar jetën e njerëzve në një formë apo në një tjetër.
Një nga nënproduktet që prodhoheshin në uzinë ishte një lloj insekticidi, më saktë florosilikati i natriumit, që jashtë shtetit përdorej për industrinë kimike dhe kishte efekte mjaft toksike. Ndërkohë, që ekspertët bënin neutralizime me gëlqere për nivelet e larta të acideve, gëlqerja hidhej në kanalet e shkarkimit, duke qëndruar aktive dhe më pas duke shkaktuar probleme në frymëmarrje, dëmtime në lëkurë, sy etj.
Magdalena Cara shton se në atë kohë nuk i kushtohej shumë vëmendje ndërgjegjësimit të efekteve anësore, sidomos ato mjedisore. Më tej, ajo tregon një rast ku për vetëm një defekt tavani të rrezikshëm, të cilin ajo dhe ekipi i saj duhet ta ekzaminonin, ishin pajisur me maska kundragaz dhe kostume L1.
“Ju ndoshta s’e keni dëgjuar, por ka qenë një lloj kostumi i përdorur në ushtri, në zbor që ne bënim. Sidomos ne që ishim toga, duhej të ekspozoheshim ndaj kimikateve me kundragaz dhe imagjinojeni se sa e rrezikshme ishte kjo pjesë. Nuk kishte ndërgjegjësim për t’u mbrojtur por në ambiente të caktuara, që kishte pluhur, kishte substanca toksike, që do hyje për avari ose për të vlerësuar situatën, patjetër duhet të visheshe me të gjitha mjetet mbrojtëse, që ishin mjete mbrojtëse kundër lëndë helmuese luftarake se kjo ishte në atë kohë dmth”, rikujton ish-teknologia.
Ndërkohë, gjatë viteve, uzina filloi të degradohej. Këta gjigandë metalikë që dikur ishin strehë punësimi, në ditët e sotme, kanë mbetur rrënoja, mure me myk, shembja e të cilave nga momenti në moment vazhdon të rrezikojë jetët e banorëve.
Një në dy godina kanë gërmadha tullash dhe fije metalike të nxjerra, si pasojë e mbledhjes së skrapit, në këmbim të një vlere monetare. Në këto gërmadha kanë humbur jetën njerëz të komunitetit, të cilët shihnin si shpëtim për ta dhe familjet e tyre uzinën e lënë në harresë.
“Më pas, pas viteve ’90, më vonë që nuk përdorej më, personat që kanë shkuar për të tërhequr skrap, kanë mbetur viktima. Dhe kjo ka qenë një alarm që ne kemi ngritur disa herë dhe vazhdojmë ta ngremë akoma duke qenë se po të shkojsmë edhe sot në territorin e ish-Uzinës së Superfosfatit është lehtësisht e aksesueshme dhe çdo individ mund të hyjë aty, duke e lidhur këtë edhe me qasjen se komuniteti i Kurbinit relativisht është një komunitet i varfër”, ka thënë për “Vetting”, Elsa Sula, drejtoresha e Qendrës Rinore “Sebastia” në Laç.
Vetëm brenda 14 vitesh kanë humbur jetën pesë persona, si pasojë e shembjes së mureve mbi ta.
Në vitin 2004, familja Gjoka humbi kryefamiljarin e saj, duke nxjerrë hekur për shkak të kushteve ekonomike. Fatin e tij të keq e tërhoqi dhe djali i tij në vitin 2016. Ndërsa në vitin 2013, gërmadhat morën me vete dhe të riun 18-vjeçar Gjin Lleshajn, i cili që në atë moshë e kishte parë uzinën si një formë mbijetese për të dhe familjen e tij.
Viktimat më të fundit janë në vitin 2018, dy shokët Drilon Lamaj 27-vjeç dhe Dashamir Hajna 28-vjeç në atë kohë. Kushtet e vështira ekonomike, papunësia ishin elementë vdekjeprurës që gjenin një farë shprese te mbetjet metalike të ish-uzinës.
Rrezik për këtë komunitet nuk janë vetëm tullat dhe metalet për skrap, por edhe mbetjet e rrezikshme të lëna pas që pas mbylljes së uzinës. Në pjesë të ndryshme të uzinës shpesh gjenden vende pa bimësi, toka e të cilave ka një ngjyrë specifike, e cila të konfirmon se mbetjet e rrezikshme janë ende aty.
“Në mëngjeset që ka vesë dhe nga lagështia ndihet era e pestidicideve. Pra, kjo edhe në syrin e dikujt, si në rastin konkret timin, që nuk jam eksperte mjedisi e kuptoj që aty ka helme ose ka pesticide dhe është tokë e kontaminuar. Detaj tjetër është në ditët me shi, pellgjet që mbushen me ujë kanë një lloj ngjyrë specifike, që tregojnë se aty mund të ketë pesticide dhe mund të ketë edhe lëndë helmuese”, shton më tej drejtoresha e qendrës rinore.
