Parlamenti Evropian u prek thellë nga fjalimi emocional i Roman Oleksiyevit, një djalë 11-vjeçar nga Ukraina, i cili humbi nënën e tij në një bombardim në vitin 2022 dhe vetë kaloi më shumë se 100 ditë në kujdes intensiv, duke iu nënshtruar më shumë se 35 operacioneve. Romani foli në Strasburg gjatë prezantimit të një dokumentari kushtuar fëmijëve të prekur nga lufta në Ukrainë. Fjalët e tij prekëse e bënë përkthyesin zyrtar të mos arrinte të vazhdonte përkthimin, i pushtuar nga emocionet, ndërsa edhe shumë nga të pranishmit në sallë mbetën të përlotur.
“Isha me nënën time në spital kur ra një bombë. Kjo ishte hera e fundit që e pashë dhe i thashë lamtumirë.”, tha ai. Për shkak të emocioneve të forta, përkthyesi u ngrit në lot dhe ndërhyri kolegu i tij për të vazhduar përkthimin.
“E pashë nën rrënoja, i pashë flokët dhe i thashë lamtumirë. Pastaj qëndrova në kujdes intensiv për më shumë se 100 ditë dhe iu nënshtrova 35 operacioneve të ndryshme. Tani jam në rrugën e shërimit.”, shtoi ai.
Në mbyllje të fjalës së tij, i duartrokitur fort nga eurodeputetët, ai dha një mesazh shprese dhe qëndrueshmërie. “Kur jemi bashkë, jemi të fortë. Nuk dorëzohemi kurrë dhe vazhdojmë të mbështesim Ukrainën dhe fëmijët e saj.”, tha ai.
💔 Interpreter breaks down in the European Parliament while translating for 11-year-old Ukrainian boy
The child, who was badly injured, recalled how he and his mother came under a Russian strike in Vinnytsia.
“It was the last time I saw my mother and could say goodbye to her,”… pic.twitter.com/HeB9DIUzrG
— NEXTA (@nexta_tv) December 11, 2025
Historia që u bë film
Ngjarja dramatike që Romani përshkroi është edhe pjesë e dokumentarit të shfaqur në Strasburg. Ajo nisi në korrik 2022, kur ai dhe nëna e tij, Halina, po prisnin takimin me mjekun në një klinikë në Vinnytsia. Papritur, raketat goditën ndërtesën, duke shkaktuar 26 viktima, mes tyre edhe nënën e Romanit.
Djali u nxor i gjallë nga rrënojat, por me lëndime të brendshme dhe djegie që mbulonin 45% të trupit të tij, gjendja e tij ishte kritike. Vetëm pak ditë më vonë, falë një programi evakuimi mjekësor (medevac) të organizuar nga Ministria e Shëndetësisë së Ukrainës me mbështetjen e OBSH-së, Bashkimit Evropian dhe disa shteteve anëtare, Romani u dërgua jashtë vendit për trajtim të specializuar. Aty nisi edhe rruga e gjatë e shërimit, me qindra ditë në spital dhe më shumë se 35 operacione. Historia e tij, e dhimbshme dhe njëkohësisht e jashtëzakonshme, është sot pjesë e një filmi dokumentar që po sensibilizon opinionin publik evropian për dramën e fëmijëve ukrainas në luftë.
