Ndonëse fillimisht u raportua si ngjarje aksidentale, Prokuroria e Shkodrës ka nisur hetimet për vdekjen e 40-vjeçarit Mirel Çokaj, i cili përfundoi në humnerë në Kozhnje të Malësisë së Madhe. Mirel Çokaj u gjet i pajetë në humnerë më 18 shtator dhe familjarët u njoftuan nga një shok i tij, i cili po ashtu i tregoi policisë vendin ku kishte rënë 40-vjeçari.
Pas dyshimeve të familjarëve për një vrasje të mundshme të 40-vjeçarit, Prokuroria e Shkodrës ka nisur hetimet fillimisht për veprën penale “shkaktim i vetëvrasjes”. Personi që ngriti dyshimet për një vrasje të mundshme, duke vënë në lëvizje Policinë e Malësisë së Madhe ishte kushëriri i tij Rifat Çokaj, i cili 3 ditë pas ngjarjes tha për News24 se Mirel Çokaj mund ishte vrarë për çështje droge.
Sipas kushëririt, Mirel Çokaj para se të humbte jetën ndodhej në një parcelë droge rreth një orë larg vendit ku u gjet trupi i tij. Rifat Çokaj deklaroi se 40-vjeçari, parcelën e drogës e kishte me disa persona të tjerë dhe dyshon se është vrarë prej tyre, për të mos i dhënë pjesën e fitimit nga ky aktivitet i paligjshëm.
Gjithashtu, familjarët e Mirel Çokajt dëshmuan se celulari i tij nuk është gjetur nga policia dhe ngrenë dyshime se mund të jetë marrë nga personat që dyshohet se e hodhën në humnerë. Sipas familjarëve, dyshimet thellohen edhe më tej, pasi vendi ku u gjet 40-vjeçari është një shteg i ndryshëm nga rruga që bënte zakonisht për të shkuar te parcela e drogës.
Pas ngjarjes policia shkoi në parcelën ku 40-vjeçari dhe ortakët e tij kishin mbjellë kanabisin, por nuk gjetën askënd. Për pasojë, kushëriri Rifat Çokaj tha se policia nuk ka arritur të gjejë as armën që mbante Mirel Çokaj teksa ruante parcelën, duke shtuar edhe më tej dyshimet për një vrasje të mundshme.
Me rihapjen e hetimeve, po merren në pyetje familjarë të Mirel Çokajt, të afërm dhe personat që mund të kenë qenë me viktimën pak para ngjarjes.
