Autoritetet serbe kanë ndaluar marshin e EuroPride disa ditë para se tubimi të mbahej në Beograd. Ky njoftim ka nxitur kritika nga organizatorët e kësaj ngjarjeje dedikuar komunitetit LGBTQ+

Organizata “Krenaria e Beogradit” shkroi në Twitter më 13 shtator se policia serbe ka ndaluar marshin e sivjetmë të EuroPride-it dhe organizatorëve u është dorëzuar njoftimi zyrtar.

Por, kjo organizatë u zotua se do të përdorë “të gjitha rrugët ligjore për të shfuqizuar këtë vendim” me qëllim që të organizojnë Paradën e sivjetme të Krenarisë.

Ministria e Brendshme e Serbisë më vonë konfirmoi për REL’in se marshi i EuroPride, i parashikuar të mbahej më 17 shtator në Beograd, është ndaluar. Po ashtu është ndaluar mbajtja e një kundër proteste të paralajmëruar në po të njëjtën ditë.

Ministria tha se ka “rrezik të lartë të sigurisë për pjesëmarrësit, por edhe për sigurinë e qytetarëve të tjerë”. Kjo ministri shtoi se pas një vlerësimi të sigurisë, kanë ardhur në përfundim se mbajtja e një marshi të tillë do të “paraqiste rrezik për dhunë, shkatërrim të pronës dhe forma të tjera të prishjes së rendit publik në një shkallë të gjerë”.

Ministri i Brendshëm serb, Aleksandar Vulin, shtoi se “në situatën aktuale gjeopolitike dhe tensionet në rajon, përplasjet e pakuptimta në rrugët e Beogradit do të bënin që pozicioni i shtetit të ishte më i vështirë dhe do të vinin në rrezik sigurinë e pjesëmarrësve në marsh, por edhe të qytetarëve të tjerë”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb