Policia e Tropojës ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Lekbibaj”, duke vënë në pranga një 29-vjeçar të shpallur në kërkim për kultivim të bimëve narkotike.

Në kuadër të punës për lokalizimin dhe kapjen e personave në kërkim, shërbimet e Komisariatit të Policisë Tropojë, bazuar në informacione operative dhe pas një pune të mirëorganizuar, lokalizuan dhe arrestuan në vendin e quajtur “Kodra e Markajve”, në Lekbibaj, shtetasin Gj. P., 29 vjeç, banues në fshatin Mserr.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim pas vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, e cila i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.

Sipas hetimeve, Gj. P. dyshohet se në vitin 2022 ka qenë i përfshirë në kultivimin e bimëve narkotike në zonën e fshatit Mserr.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore. Policia e Tropojës vijon punën për goditjen e paligjshmërisë dhe kapjen e personave të tjerë në kërkim.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb