SARANDE – Ishujt e Ksamilit janë pjesë e udhëtimit tonë “Rreth Shqipërisë”. Një zonë dikur e paprekur, por që vitet e fundit ka njohur mbipopullim të turistëve vendas e të huaj. Shijoni udhëtimin tonë atje dhe bukuritë që ofrojnë ishuj e vegjël shkëmborë shumë pranë njëri-tjetrit.

18 km në jug të Sarandës, Ishujt e Ksamilit përbëjnë pjesën më aktraktive të kësaj zone bregdetare. Në një lartësi nga 7.5 deri në 15 metra mbi nivelin e detit këta ishuj të vegjël shkëmborë janë vendosur pranë njeri-tjetrit të mbuluar me një vegjetacion tipik mesdhetar mjaft të zhvilluar. Megjithëse dora e njeriut nuk e ka kursyer duke e betonizuar në pjesën më të madhe të tij, sërish Ksamili ofron bukuri mahnitëse. Ishujt përballë tij e bëjnë Ksamilin aq të veçantë e të dëshirueshëm. Që prej fillimit të muajit maj e deri në mes të korrikut Ksamili është vizituar nga rreth 50 mijë pushues, një shifër kjo më e lartë se e njëjta periudhë e një vitit më parë. Pushuesit këtë vit në Ksamil duket se janë nga nacionalitete të ndryshme, por ajo që vihet re është një dominim i pushuesve vendas, por edhe nga Kosova dhe Maqedonia, si dhe një lloj interesi në rritje i pushuesve polakë dhe norvegjezë.
1. Ksamili përfaqëson një prej vendpushimeve bregdetare më të frekuentuara gjatë verës. Qyteza e vendosur në skajin jugor të vendit ofron plazhe të vogla e të pastra, ndër më të bukurat e bregdetit Jonian. Shumë vizitorë e përzgjedhin Ksamilin për magjinë e ishujve dhe qetësinë. Plazhet e vendosura vetëm pak km në jug të qytetit të Sarandës dhe shumë pranë Parkut Kombëtar të Butrintit i lejojnë pushuesve akses të lehtë për këto dy destinacione të jetës së mbrëmjes dhe turizmit kulturor.
2. PLAZHI “PASQYRAT”
Plazhi “Pasqyrat” është një nga plazhet e Ksamilit. Eshtë i veçantë për bukurinë, pastërtinë dhe ujin kristal. Ai shtrihet në një gjatësi rreth 700-800 m. Sa nis sezoni turistik por edhe më herët plazhi i “Pasqyrave” është gjithmonë i populluar. Sipas banorëve, ky plazh e ka marrë emrin nga peshkatarët e zonës. Ngjyra e kaltër në breg, pasohet nga bluja e thellë në horizont. Krahasuar me një vit më parë numri sivjet është më i shumtë, na thotë administratori Fetah Merkaj.
3. PLAZHI “PULEBARDHA”
Në hyrje të qytezës së Ksamilit, në krahun e djathtë, rreth 1 km, duke zbritur në det, ndodhet plazhi “Pulëbardha”. Një pulëbardhë ka pasur vendin e vet në këtë plazh, ku sot Bashkim Marku, nga Ksamili me vullnetin për të bërë diçka të bukur por edhe me sedrën se edhe ne në vendin tonë, jemi të zotë të bëjmë turizëm, ka ngritur biznesin e tij turistik dhe e ka quajtur me emrin domethënës Pulëbardha, në kujtim të pulëbardhës që për shtatë vite e ka pritur çdo mëngjes dhe e ka përcjellë çdo mbrëmje kur ai largohej nga plazhi. “Si çdo vit edhe këtë vit flitet për një rritje të dukshme të pushuesve”, na thotë ai
4. PLAZHI “TRE ISHUJT”
“Tre ishujt” ndodhet në qendër të qytezës së Ksamilit dhe ka një shtrirje përballë ishujve. Adriatik Mëllënja, të cilin kur shkuam atje nuk e gjetëm, e ka nisur biznesin e tij turistik me një barakë të vogël druri për të ardhur këtu ku është sot, me plazh tërheqës për vendas e të huaj, me shërbim kulinar bashkëkohor. Kjo bën që “Tre ishujt” në Ksamil të jenë të kërkuar nga të huaj dhe vendas. E ai që ka ardhur njëherë nuk nguron të vijë përsëri vitin tjetër. Maqedonasi Arben Hyseni, lindur e rritur në Amerikë vjen për herë të parë më familjen e tij në Ksamil. Kjo bukuri dhe mrekulli do të më sjellë përsëri këtu -thotë ai.
5. HOTELET
Jo vetëm plazhet por edhe hotelet dhe banesat private janë pjesë e sezonit turistik. Edhe kuzhina është mjaft e shijshme, e tepërt të komentohet, dominimi i midhjes së Butrintit, e cila është edhe simboli i gatimit i gjithë Sarandës.
6. PLAZHI “”PEMA E THATE”
Plazhi i “Pema e Thatë” ndodhet afër Ksamilit, përballë ishullit të Korfuzit (rreth gjysmë milje larg). Plazhi është i vogël, ka ujërat kristal e të qartë, dhe jo shumë të thellë, është plazh ideal për fëmijët.
Duhet t’ju paralajmërojmë se nëse zgjidhni të kaloni pushimet në ishujt e Ksamilit të largët, do përballeni edhe me një mbipopullim…së fundmi të gjithë zgjedhin ta shijojnë gjatë verës, falë bukurisë dhe veçantisë që ishujt e magjishëm ofrojnë.
(er.nu/news24/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: