Veriu i Italisë po lufton me thatësirën më të madhe në 70 vitet e fundit ndërsa qeveria kohët e fundit shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në pesë rajone për shkak të mungesës së reshjeve dhe temperaturave të larta.

Që nga fillimi i vitit, rajoni veriperëndimor Piemonte ka regjistruar vetëm 94 milimetra shi në krahasim me një mesatare prej 376 milimetrash. Vetëm rajoni i Lombardisë ka 61 për qind më pak ujë këtë vit nga mesatarja në periudhën 2006-2020.

Nivelet e ujit në liqene janë ulur ndjeshëm, përfshirë liqenin Maggiore me 34 për qind më pak ujë dhe Garda me 48 për qind. Niveli i lumit Po, i cili është 652 kilometra i gjatë, është ulur me 80 për qind në krahasim me mesataren për këtë periudhë të vitit.

Kanë filluar të shfaqen plazhe të reja si dhe mbetje arkeologjike të mijëra viteve më parë.

Më 5 korrik, qeveria italiane shpalli gjendjen e jashtëzakonshme për shkak të mungesës së ujit në pesë rajone të Italisë veriore: Piemonte, Lombardi, Emilia-Romagna, Friuli-Venezia Giulia dhe Veneto dhe ndau 36.5 milionë euro nga fondi i saj i emergjencës.

Në disa zona malore për shkak të mungesës së reshjeve dhe nivelit të ulët të ujit është ndërprerë furnizimi me energji elektrike.

Situatë e njëjtë paraqitet edhe në disa komuna në veri të vendit. Furnizimi me ujë është ndërprerë gjatë natës ndërsa në disa të tjera përdorimi i ujit lejohet vetëm për higjienën personale dhe gatim, por është i ndaluar për ujitje apo larje të makinave.

Megjithatë, bujqësia është ajo e cila po përballet me pasojat më të rënda. Humbjet e fermerëve deri më tani arrijnë në rreth 3 miliardë euro, sipas Coldiretti, organizata më e madhe e fermerëve në nivel kombëtar dhe evropian.

Coldiretti konsideron se ajo që po ndodh ndikon jo vetëm tek të korrurat, por edhe tek mjedisi. Nxehtësia ka kërcënuar rendimentet bujqësore, veçanërisht misrin dhe grurin dhe rrezikon të ndikojë në prodhimin e ardhshëm.

Pasojat e thatësirës dhe temperaturave të larta ndjeu gjithashtu edhe fermeri 50-vjeçar Gigi Tacchini, arat e të cilit ndodhen në komunën Santa Cristina e Bissone, rreth 45 kilometra në juglindje të Milanos.

“Këtë sezon kam vaditur vetëm një herë misrin ndërsa zakonisht e bëj katër herë. Pasojat janë të dukshme. Në vend që të kishim bimë të larta tre ose katër metra, kemi ato që janë një metër, një metër e gjysmë. Toka është aq e thatë sa janë shfaqur të çara”, tha ai.

E njëjta gjë vlen edhe për sojën dhe orizin, kulturat më të rëndësishme të kësaj ferme.

“Më duhet ta braktis këtë fushë orizi, si të tjerat, për shkak të mungesës së ujit. Fillimisht më është dashur të pakësoj mbjelljet ndërsa tani edhe ujitjen e shpeshtë. Në vend që ta ujis çdo tetë ditë, e bëj çdo 20 ditë. Prodhimi im i orizit për këtë vitin do të ulet me 30 ose 40 për qind”, shtoi ai, duke thënë se kërkon ndihmë nga shteti.

Autoritetet në Lombardi kohët e fundit i kërkuan qeverisë së Zvicrës fqinje të hapë pellgjet ujëmbledhëse alpine në kantonin kufitar të Ticinos për të rrjedhur uji dhe për të mundësuar ujitjen e fushave në luginën Po. Por, ata nuk pranuan, sepse vendi alpin po përballet me të njëjtat probleme.

Situata nuk ka gjasa të ndryshojë së shpejti, pasi në javët në vijim priten temperatura të larta, ndërkohë që nuk pritet të ketë reshje.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb