ITALI – Autoritetet italiane kanë shkatërruar një bandë qe merrej me trafikun e lëndëve narkotike, (kokainë, heroinë dhe marijuanë), mes Italisë, Holandës dhe Shqipërisë.
Sipas mediave të shtetit fqinj, mes 13 personave të arrestuar janë edhe disa shtetas shqiptarë.
Mësohet se kjo bandë po hetohej që prej vitit 2013 nga autoritetet italiane, të cilat arritën të mblidhnin provat e nevojshme që vërtetonin aktivitetin e paligjshëm.
Në operacionin e policisë italiane u angazhuan rreth 100 karabinierë, të cilët sekuestruan drogë, armë, para dhe makina të shtrenjta. Me urdhër të prokurorisë, policia ekzekutoi 13 urdhër-arreste, për shtetas italianë, shqiptarë dhe rumunë.
Sipas hetuesve, për të transportuar lëndën narkotike, trafikantët kishin modifikuar automjete të veçanta, duke bërë të mundur fshehjen e drogës brenda serbatorit të makinës, apo në tubat mes transmisionit dhe motorit.
Banda ishte organizuar në të gjitha hallkat, ndërmjetës, korrierë, shpërndarës të nivelit të mesëm dhe trafikantë rruge.
TE ARRESTUARIT
Mediat italiane bëjnë të ditur se mes të arrestuarve është edhe ish-kryebashkiaku, Giovanni Sata, drejtues lokal në Budduso në Sardenja. Një prej të arrestuarve shqiptarë është Eugert Bici, i cili është ndaluar në shkurt të vitit 2014, gjatë një hetimi të prokurorisë së Kaljarit.
Krerët e kësaj organizate mësohet se janë dy shqiptarët, Eugert Bici, Elis Pisha dhe italiani Simone Canu. Poshtë tyre në këtë trafik kokaine mësohet se ishin ish-kryebashkiaku, Giovanni Satta, i riu Alessio Salis, rumuni Alis Doboseru dhe shqiptaret Gazmir Almeta, Silvana Bejko, Ronald Stomina dhe Vladimir Muçi.
Në këtë organizatë kriminale bënin pjesë: Claudio Soddu, Alessandro Dessolis, Nicola S. Pinna, Gino Mureddu, Filippo Di Costanzo, Andrea Denanni dhe shqiptari Dashimir Hoxha.




