Votuesit italianë kanë hedhur poshtë një reformë gjyqësore kontroverse nga kryeministrja e krahut të djathtë, Giorgia Meloni, në një referendum që shihet si një provë kyçe për lidershipin e saj, sipas parashikimeve fillestare nga transmetuesit italian RAI.

Sipas agjencisë italiane të lajmeve, ANSA, që bazohet te televizioni shtetëror italian, RAI, nga pothuajse një e treta e qendrave të votimit të numëruara, 54,42 për qind e votuesve  kanë votuar “Jo” dhe 45,58 për qind kanë votuar ”Po”.

Këto rezultate bazohen në numërimin e votave nga më shumë se 17 000 nga 61 533 qendrat e votimit.

Një humbje në referendum do të ishte një goditje e madhe për Melonin, e cila ka udhëhequr një qeveri koalicioni jashtëzakonisht të qëndrueshme që nga tetori i vitit 2022.

Megjithatë, ajo ka përjashtuar kategorikisht mundësinë e dorëheqjes në rast të një humbjeje.

Referendumi dyditor shihet si një provë për lidershipin e Melonit përpara zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, të planifikuara për fundin e vitit 2027.

Të dy dhomat e parlamentit e kanë miratuar tashmë propozimin.

Megjithatë, meqenëse reforma kërkonte një ndryshim kushtetues, ajo iu nënshtrua votimt publik.

Reforma është një projekt qendror i koalicionit të Melonit, i cili ka qeverisur Italinë për tre vjet e gjysmë.

E djathta italiane ka kohë që pohon se pjesa më e madhe e gjyqësorit është e lidhur me të majtën, ndërsa opozita akuzon Melonin se po përpiqet të rrisë ndikimin politik mbi sistemin e drejtësisë.

Në zemër të reformës është një plan për të ndarë rrugët e karrierës së gjyqtarëve dhe prokurorëve publikë.

Gjithashtu do të prezantojë organe të reja vetëqeverisëse për të dy grupet, me parlamentin e përfshirë në emërimin e anëtarëve – duke u dhënë potencialisht politikanëve ndikim më të madh mbi vendimet për personelin

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb