Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasin M.R, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, parashikuar nga neni 278, paragrafi 6, i Kodit Penal.
Nga hetimet mbi procedimin penal nr.1586, të vitit 2025, rezultoi se, i pandehuri M.R., gjatë kohës që ishte në drejtimin e automjetit mbante 1 armë zjarri tip pistoletë, së bashku me 50 fishekë. Në vijim të veprimeve hetimore dhe kontrolleve të ushtruara në ambiente të përdorura prej tij, u sekuestruan po ashtu 12 armë të tjera zjarri, përkatësisht 10 automatikë model 56, 1 armë automatike e tipit “Skorpion” dhe 1 pistoletë, të gjitha në gjendje funksionale sipas ekspertimit teknik-balistik.
Gjithashtu, janë sekuestruan 465 fishekë luftarakë të kalibrave të ndryshëm, 14 krehëra armësh për automatikë, pushkë dhe pistoleta, si dhe 2 pajisje për zbutjen e zhurmës së armëve (“silenciatorë”).
Në bazë të akteve të ekspertimit teknik-balistik, të gjitha armët dhe municionet e sekuestruara rezultuan në gjendje të rregullt teknike dhe të afta për qitje. Hetimet evidentuan gjithashtu të dhëna që krijojnë dyshime se një pjesë e armëve mbahej me qëllim shitjen e tyre në mënyrë të paligjshme, faktet këto që janë objekt hetimi në një procedim penal të ndarë.
Prokuroria Fier mbetet e angazhuar në goditjen e çdo forme të kriminalitetit që cenon rendin dhe sigurinë publike, veçanërisht të veprave penale që lidhen me armëmbajtjen pa leje, prodhimin dhe tregtimin e paligjshëm të armëve e municioneve.
Në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Shtetit dhe institucionet e tjera ligjzbatuese, Prokuroria do të vijojë të ushtrojë me vendosmëri kompetencat e saj kushtetuese dhe ligjore për identifikimin, hetimin dhe ndjekjen penale të autorëve të këtyre veprave, me qëllim garantimin e rendit publik, rritjen e sigurisë së qytetarëve dhe forcimin e besimit të publikut te drejtësia.
