Gjykata e Landit në Traunstein në Gjermani ka dënuar me 12 vjet burg shoferin shqiptar, të cilit iu gjet në kamion një sasi prej më shumë se 9 kilogramë kokainë e fshehur nën karrigen e automjetit. Gjykimi është zhvilluar të hënën, shkruan pnp.de.

Vlera në treg e drogës që i është gjetur shkon nga 1.2 deri në 1.5 milionë euro. I gjykuari ka pranuar se këtë sasi droge e kishte marrë në Amsterdam, Holandë, për ta sjellë në Gjermani, transmeton albinfo.ch. Por, ai ka rënë në një kontroll rutinë të policisë rrugore, më 16 korrik në afërsi të Rosenhemit, në autostradën A8 afër kufirit Gjermani-Austri. Pasi patrulla policore i kishte bërë shenjë të ndalonte, shoferi i kamionit, mbase nën ndikimin e frikës, bën aksident dhe përfundon në mbrojtëset metalike të rrugës.

Gjatë kontrollimit, policëve u ra në sy insistimi i shoferit që, duke mbajtur në dorë një çantë donte të ikte mbrapa një kabine të tualetit. Por ata nuk e lejuan dhe e kthyen në makinë. Pasi ai kishte provuar sërish të ikte drejt autostradës, policët përfundimisht e ndaluan. Gjatë kontrollit të makinës, një qen anti-drogë e gjeti “mallin” në çantën e përmendur më lart.

Para trupit gjykues, shqiptari 53-vjeçar fillimisht e ka mohuar veprën por më pas e ka pranuar atë. Dënimi kaq i rëndë i është dhënë veç tjerave edhe për faktin se kjo nuk ishte hera e parë që ai po kapej me drogë.

Disa vite më parë atij i ishte gjetur në kamion një sasi prej 457 kilogramësh hashash dhe ishte dënuar me 7 vjet burg nga të cilat i kishte kryer tre vjet.

(m.k/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb