Një skemë mashtrimi kompjuterik dhe zhvatjeje është zbardhur nga Policia e Tiranës, duke çuar në pranga dy persona dhe në shpalljen në kërkim të një të treti. Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, ka finalizuar operacionin e koduar “Wrong Idea” (Ideja e Gabuar).

Hetimet nisën pas kallëzimit të bërë nga një 34-vjeçar, i cili kishte rënë pre e mashtrimit përmes një platforme komunikimi online, ku i ishte zhvatur një shume e majme parash.

Sipas burimeve zyrtare nga policia, autorët kishin studiuar lëvizjet e viktimës. Njëri prej tyre ka komunikuar në rrjetet sociale me 34-vjeçarin, duke iu prezantuar në mënyrë të rreme si një person i afërm i familjes së tij. Me anë të manipulimit dhe duke pretenduar se ndodhej në një situatë emergjente, ai i ka kërkuar të riut shumën prej 60 000 eurosh.

Pasi ka besuar se po ndihmonte të afërmin e tij, 34-vjeçari ka shkuar dhe ia ka dorëzuar cash të gjithë shumën e parave shtetasit N. V., pa e ditur se po binte në kurthin e një grupi kriminal.

Në kuadër të këtij operacioni, policia ka vënë në pranga dy prej bashkëpunëtorëve në këtë skemë dhe ka shpallur në kërkim organizatorin e dyshuar. Në pranga ranë:

N. V., 25 vjeç, personi që mori shumën e parave cash;

S. F., 30 vjeç, bashkëpunëtor në krim.

Ndërkohë, është shpallur në kërkim shtetasi F. Gj., 43 vjeç, i cili po ashtu ka bashkëpunuar ngushtë për realizimin e këtij mashtrimi. Policia po vijon punën intensive për lokalizimin dhe kapjen e tij.

Pas zbardhjes së kësaj ngjarjeje, Policia e Shtetit ka lëshuar një apel urgjent për të gjithë qytetarët që të tregohen tejet të kujdesshëm me komunikimet në aplikacionet e mesazheve (si WhatsApp, Viber, Signal) apo në rrjetet sociale.

“Apelojmë për qytetarët që të tregojnë kujdes të shtuar ndaj rasteve të mundshme të mashtrimit nëpërmjet aplikacioneve të komunikimit apo rrjeteve sociale. Mos besoni mesazhe ku u kërkohen para pa u siguruar plotësisht me zë dhe figurë për identitetin e personit. Për çdo rast dyshimi, njoftoni menjëherë Policinë e Shtetit,” thuhet në njoftim.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb