Policia e Korçës vijon operacionin policor “Perimetri”, duke goditur një tjetër rast të veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit.

Gjatë operacionit, është arrestuar një person, i cili është kapur duke transportuar 4 emigrantë të paligjshëm. Gazetarja Lorena Kodra raporton për “BalkanWeb” se ka rënë në pranga 32-vjeçari Danjel Mete.

Njoftimi i policisë:

Strukturat për Hetimin e Krimeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me Policinë Kufitare, Sektorin e Policisë Rrugore dhe Komisariatin e Policisë Pogradec, në vijim të operacionit policor “Perimetri”, kanë goditur një tjetër rast të aktivitetit kriminal në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit D. M., 32 vjeç, banues në Korçë.

Ky shtetas është kapur nga shërbimet e Policisë, në aksin rrugor Pogradec-Librazhd, pranë vendit të quajtur “Lumi i Tërhanit”, duke transportuar në drejtim të Tiranës, me mjetin tip “Benz”, 4 emigrantë të paligjshëm, të cilëve, kundrejt fitimit 215 euro për secilin, iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pogradec, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb