TIRANE- Një 41-vjeçar nga Tirana, i akuzuar për mashtrim me lejet e ndërtimit, është arrestuar ditën e sotme. Ndalimi i shtetasit Klodian Ciruna, me precedent të mëparshëm penal për Mashtrim, u bë në kuadër të operacion policor të koduar “LUCIA” nga Seksioni për Krimin Ekonomik dhe Financiar në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Mësohet se 41-vjeçari i ndaluar iu ka marrë shtetasve P.K, L.D, dhe B.H, një shumë prej 1 000 000 (një milionë) Euro, duke iu premtuar se do t’iu siguronte leje ndërtimi dhe për këtë gjë ai premtonte se operonte me një nga studiot e Avokatisë në Milano (duke dërguar e-maile false në emër të studios dhe personave të tjerë).

“Gjithashtu për të kamufluar veprimet e tij dhe për të qënë më bindës, Ciruna ka bërë kontrata noteriale fiktive si dhe ka krijuar përkohësisht një kompani “Call Center” me aktivitet në fushën e shitblerjeve të pasurive të paluajtshme në Shqipëri si dhe jashtë saj, të cilën më pas e ka mbyllur”, thuhet në njoftimin e policisë.

Sakaq, materialet proceduriale në ngarkim të tij iu kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, në ngarkim të shtetasit të sipërpërmendur, për veprën penale “Mashtrimit me pasoja të rënda”.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb