Ashtu siç u tha edhe dje, ish-kryeministri Sali Berisha po takohet sot me deputetin e PD, Gazment Bardhi.

Takimi vjen me ftesë të Bardhit, për t’u ulur në një tryezë për diskutime. Mësohet se takimi në fjalë është parashikuar që të mbahet në orën 12:00. Ndërkohë, pas ftesës së Bardhit, Berisha iu përgjigj pozitivisht ftesës së demokratit.

Gjatë fjalës së tij Bardhi deklaroi se “bashkë mund të gjejmë zgjidhje edhe për probleme të tjera që sot jemi larg”.

“Të nderuar kolegë, faleminderit për pranimin e ftesës. E kemi bashkëndarë me përgjegjshmëri gjetjen e formës për ta bërë funksionale opozitën parlamentare. Debatet brenda opozitare i kanë krijuar një komoditet qeverisë më të korruptuar në Evropë dhe botë. Dua të përshëndes kolegët online që ndodhen jashtë vendit Jorida Tabaku, Lefter Gështenja, Ilda Dhori dhe Petrit Doda. Prioriteti që na bën të gjithëve bashkë (pa progres). Masakrat zgjedhore të 25 Prillit 2021 dhe 14 Maj 2023.

Prioritet në Kuvend reforma zgjedhore. Ka një Komision të Reformës Zgjedhore, në 2 vite, pa asnjë produkt. Biem dakord që masakrat zgjedhore dhe mënyra se si Edi Rama organizon zgjedhjet, jo të gjitha fenomenet kriminale mund të zgjidhen me ndryshime ligjore, por ka disa cështje që mund të adresohen. Gushti provoi se kemi një qeveri të papërgjegjshme. Cdo ditë prodhon nga një skandal, bën të domosdoshëm ngritjen e disa komisioneve hetimore në Parlament.

Çështje që na bëjnë bashkë, në dobi të qytetarëve. Ndërtimi i një axhende të përbashkët parlamentare. Bashkë mund të gjejmë zgjidhje edhe për probleme të tjera që sot jemi larg. Respektoj mendimin e secilit, por ndasitë brenda Partisë Demokratike, nuk duhet të na shfokusojnë nga përgjegjësia ndaj demokratëve, opozitarëve dhe qytetarëve. Kjo nuk do të na pengojë të unifikojmë një qëndrim të aksionit opozitar kundër keqqeverisjes së Edi Ramës”, u shpreh Bardhi në fjalën e tij.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: