Mjeku Ermal Pashaj ka mbajtur fjalën e tij para protestuesve të mbledhur para Kryeministrisë, duke deklaruar se protesta do të vijojë dhe se qytetarët nuk do të tërhiqen nga kërkesat e tyre.
Ai tha se pavarësisht zërave që mendojnë se protesta ka përfunduar qëllimin e saj, qytetarët duhet të vijojnë qëndrimin e tyre. Pashaj kritikoi institucionet, duke thënë se sipas tij nuk po respektohet dinjiteti i qytetarëve.
Sipas mjekut, vazhdimi i protestës është një mënyrë për të kërkuar ndryshim dhe për të mos lejuar që qytetarët të mposhten. Në fund të fjalës së tij, ai iu drejtua veçanërisht nënave pjesëmarrëse në protestë, duke deklaruar se kauza e tyre lidhet me të ardhmen e fëmijëve.
“59 ditë protestë. Ne do të vazhdojmë që qëndrojmë këtu. Nuk mposhtet shqiptari! Ka mes nesh që gjykojnë se kjo e arriti qëllimin. Por unë ju them se ku mbaron durimi, duhet të fillojë vetëkafshimi. Njerëzit nuk duhet të lëshojnë. Nuk ka asnjë institucion që respekton dinjitetin e popullit. Nuk po kërkon shqiptari asgjë tjetër veç se të përfillet dinjitet i tij. Çfarë marrim? Marrim ato përgjigje që tregon se ky regjim po ia arrin fundi. Ka nga ata që bëhen dhe më të fortë, që është më kollaj kështu. Por mos harroni se legjitimitet i këtij të forti vjen për shkak të djersës që kemi derdhur. Ne kemi në dorë që të qëndrojmë këtu dhe mos të lejojmë që të na mposhtin. Siguria kombëtare cënohet çdo ditë. Të gjitha këto janë thënë dhe stërthënë. Nuk duhet të mposhtim, përsa kohë që nuk na dëgjojnë, por duan ta përdhosin këtë protestë. Ai nuk ngopet. Ku ka rrjedhur do pikojë dhe ky popull do mbijetojë. Ka dalë mbanë në situata më të këqija se këto. Do të ketë njerëz, ditë e natë deri sa të realizohen kërkesat e atyre. Atyre nënave me fëmijë dua t’i përulem sa të kem jetë. Po u mëkojnë fëmijëve lirinë! Rroftë Shqipëria e lirë.”, tha ai.
