Mediat siriane raportuan se një sulm ajror izraelit kishte ndodhur në Damask. Sipas të dhënave një shpërthim i fuqishëm u dëgjua në kryeqytetin e Sirisë, pasi një dron fluturoi mbi zonë. Nuk pati raportime për të lënduar, ndërsa vlerësohet se sulmi ishte kryesisht një paralajmërim.
Ushtria izraelite mori përgjegjësinë, duke vënë në dukje se goditi selinë e Shtabit të Përgjithshëm (në zonën ku ndodhet Ministria e Mbrojtjes) të ushtrisë siriane: “Forcat e Mbrojtjes Izraelite sulmuan së fundmi portën hyrëse të selisë së Shtabit të Përgjithshëm të regjimit sirian në zonën e Damaskut të Sirisë”.
Në fakt, IDF publikoi video dhe foto me oficerë që monitorojnë dhe vlerësojnë situatën në Siri.
Kanali 14 i Izraelit raportoi se “një aeroplan luftarak izraelit nisi një sulm ajror jashtë bazës qendrore ushtarake të regjimit sirian, si një mesazh për qeverinë legjitime që drejton vendin”.
Reuters, nga ana e tij citoi dy burime të sigurisë siriane, sipas të cilave “një sulm izraelit shënjestroi Ministrinë e Mbrojtjes në Damask”.
Me këtë sulm, Izraeli kërkon t’i dërgojë një mesazh ushtrisë së regjimit sirian, e cila po vepron kundër druzëve në Sirinë jugore.
Përveç kësaj, IDF informoi gjithashtu për sulme të reja në Sweida, në Sirinë jugore: “Forcat Mbrojtëse të Izraelit vazhdojnë të monitorojnë zhvillimet dhe aktivitetet kundër civilëve druzë në Sirinë jugore dhe, në përputhje me udhëzimet e skalonit politik, po sulmojnë zonën dhe janë të përgatitura për skenarë të ndryshëm”.
Forcat siriane ishin vendosur në zonën e Sweidës, duke pretenduar se qëllimi i tyre ishte të shtypnin konfliktet e brendshme. Megjithatë, pala izraelite thuhet se e konsideron praninë e tyre një kërcënim për komunitetin druz, të cilin deklaron vendosmërinë e saj për ta mbrojtur.
Në të njëjtën kohë, informacionet dhe videot që qarkullojnë në internet tregojnë se druzët nga Izraeli po përpiqen të kalojnë kufirin sirian dhe të shkojnë drejt Sweidës, me qëllim që të mbështesin druzët e Sirisë të cilët janë sulmuar ditët e fundit nga ushtria siriane.
(BalkanWeb)
