Pedro Sanchez siguroi se Izraeli është “mik i Spanjës”, një ditë pasi Izraeli thirri ambasadorin e tij në Spanjë për një shpjegim.

Rasti ishin deklaratat e kryeministrit spanjoll në lidhje me operacionet ushtarake izraelite në Gaza, të cilat u konsideruan “skandaloze”.

Kreu i qeverisë spanjolle, i cili është një nga zërat më kritikë brenda Bashkimit Evropian ndaj Izraelit, megjithatë përsëriti qëndrimin e tij në lidhje me luftën midis Izraelit dhe Hamasit, e cila ka shkaktuar tension mes Madridit dhe qeverisë së Benjamin Netanyahut.

Në një mesazh të postuar të premten në X, Sanchez tha se ai “përsëriti se Izraeli është një aleat, një mik i Spanjës”, gjatë një telefonate me ish-ministrin e mbrojtjes dhe anëtarin aktual të këshillit të luftës të Izraelit Benny Gantz.

Ai foli me ministrin Benny Gantz, @gantzbe, të cilit i përsëriti se Izraeli është partner dhe mik i Spanjës. Edhe një herë, ai dënoi sulmet terroriste të Hamasit më 7 tetor.

Spanja kërkon lirimin e menjëhershëm të të gjithë pengjeve.

“Edhe një herë, dënova sulmet terroriste të Hamasit të 7 tetorit”, vazhdoi kryeministri spanjoll, sipas të cilit “Izraeli ka të drejtën e vetëmbrojtjes”.

“Megjithatë, unë ripohoj se Spanja e sheh të patolerueshme vdekjen e civilëve në Gaza dhe se Izraeli duhet të respektojë ligjin ndërkombëtar humanitar”, përfundoi ai.

Izraeli njoftoi të enjten se po tërhiqte ambasadorin e tij në Spanjë “për konsultime” pas deklaratave të kryeministrit spanjoll që u konsideruan “skandaloze”.

Pedro Sanchez kishte thënë në televizionin shtetëror të Spanjës se kishte “dyshime serioze” për respektimin e ligjit ndërkombëtar nga Izraeli, duke pasur parasysh “numrin gjithnjë në rritje të njerëzve që vdesin, veçanërisht djem dhe vajza të vogla” në Gaza.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb