Ndërsa vëmendja ndërkombëtare është përqendruar te përshkallëzimi i tensioneve mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara, lufta në Rripin e Gazës vijon, dhe Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) kanë kryer një tjetër operacion të ndjeshëm në territorin palestinez.

Në një deklaratë të dhënë mëngjesin e sotëm, IDF konfirmoi se, në bashkëpunim me shërbimin e inteligjencës izraelite, ka rikuperuar trupat e tre pengjeve izraelitë, të cilët mbaheshin nga Hamasi në Gaza që nga sulmi i 7 tetorit.

Të identifikuar nga autoritetet izraelite si:

Ofra Keidar, 71 vjeçe, nga Kibbutz Be’eri. Ajo u vra gjatë sulmit fillestar dhe trupi i saj u dërgua në Gaza. Ishte nënë e tre fëmijëve.

Yonatan Samerano, 21 vjeç, i cili u përpoq të shpëtonte nga festivali muzikor Nova, por më vonë u vra në Kibbutz Be’eri. Trupi i tij u rrëmbye dhe u gjet në ditëlindjen e tij të 23-të.

Rreshteri i Shtabit Shay Levinson, 19 vjeç, komandant tankesh në IDF, i cili u vra duke luftuar me Hamasin gjatë sulmeve të 7 tetorit. Trupi i tij u dërgua në Gaza pas vrasjes.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu reagoi pas operacionit, duke shprehur ngushëllimet e tij për familjet:

“Së bashku me të gjithë qytetarët e Izraelit, unë dhe gruaja ime u shprehim ngushëllimet tona të sinqerta familjeve të dashura dhe ndajmë hidhërimin e tyre të thellë.”

Ai falënderoi forcat speciale për guximin dhe vendosmërinë, duke theksuar se fushata për kthimin e të rrëmbyerve – të gjallë apo të vdekur – do të vazhdojë pa ndërprerje.

“Fushata për kthimin e të rrëmbyerve zhvillohet paralelisht me fushatën kundër Iranit. Ne nuk do të pushojmë derisa t’i sjellim të gjithë robërit tanë në shtëpi.”

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb