“Kanalet diplomatike dhe indirekte të dialogut me Shtetet e Bashkuara nuk janë mbyllur.” Kështu deklaron Tehran Times në llogarinë e saj në rrjetin social X, duke hedhur poshtë raportimet e mëparshme se komunikimi mes Uashingtonit dhe Iran ishte ndërprerë plotësisht.

Më herët, mediat iraniane raportuan se pas kërcënimeve të presidentit Donald Trump, negociatat dukeshin të “ngrira”, ndërsa burime të cituara nga The New York Times dhe The Wall Street Journal sugjeronin se Teherani kishte vendosur t’i jepte fund bisedimeve për paqe.

Sipas këtyre raportimeve, Irani kishte informuar Pakistan se nuk do të merrte më pjesë në negociatat për armëpushim. Megjithatë, zhvillimet e fundit tregojnë një tablo më të paqartë, ku kanalet indirekte të komunikimit duket se vazhdojnë të funksionojnë.

Një burim i lartë iranian i tha Reuters se Teherani dhe Uashingtoni vijojnë të shkëmbejnë mesazhe përmes Pakistanit, por theksoi se Irani nuk do të tregojë fleksibilitet për sa kohë që SHBA kërkon “dorëzim nën presion”.

Ndërkohë, tensionet në rajon janë përshkallëzuar më tej me paralajmërime të forta nga Teherani. Sipas të njëjtit burim, Katari ka përcjellë një mesazh të Iranit drejt SHBA-së dhe vendeve të rajonit, ku thuhet se në rast të një sulmi ndaj termocentraleve iraniane, “i gjithë rajoni dhe Arabia Saudite do të zhyten në errësirë të plotë” si pasojë e kundërpërgjigjes.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb